Lojtarë të pezulluar dhe të tjerë të dëmtuar, Elbasani kërkon ringjalljen në Laç

lojtare te pezulluar dhe te tjere te demtuar elbasani kerkon ringjalljen ne lac
lojtare te pezulluar dhe te tjere te demtuar elbasani kerkon ringjalljen ne lac

Elbasani po përpiqet ta lërë pas humbjen turpëruese kundër Dinamos, e cila njëkohësisht erdhi pas katër barazimesh radhazi.



Bëhet fjalë për një minikrizë që po kalojnë verdheblutë, pasi nga 15 pikë të mundshme kanë marrë vetëm katër, duke humbur ndjeshëm terren me kreun, edhe pse nga zona e “Final 4” është vetëm një pikë larg. Për këtë arsye, edhe presidenca nuk nxitoi të marrë masa në mbledhjen që bënë pas disfatës ndaj bluve, duke shpresuar që e hëna e kësaj jave të ketë qenë thjesht një mbrëmje e keqe dhe për t’u harruar. Për këtë arsye, tani të gjitha forcat janë hedhur në përballjen e së dielës kundër Laçit në transfertë.

PLANI ANTI-LAÇI Fitorja e fundit e Elbasanit këtë sezon ka ndodhur para gjashtë javësh dhe kanë mundur pikërisht Bylisin në transfertë. Një duel që u vendos nga një gol i Arsen Lleshit në pjesën e dytë. Një situatë që e vë Elbasanin nën presion për të kërkuar fitoren dhe vetëm tri pikët mund të rikthejnë qetësinë. Mirëpo, humbja me Dinamon ka lënë nga ana tjetër edhe pasoja për ndeshjen me kurbinasit. Thuhet kështu, pasi tekniku Roberto Bordin nuk do të ketë të gatshëm dy titullarë për arsye kartonësh.

Bëhet fjalë për mesfushorin Ardit Hila, që u ndëshkua me të kuq dhe mbrojtësin Bledar Lila, që ka plotësuar numrin e katër kartonëve të verdhë dhe do t’i duhet të bëjë një javë stop. Nga ana tjetër, në klub po kryqëzojnë gishtat që të rikthehen sa më parë nga dëmtimet Arsen Kasa me Emiljano Mustën, pa harruar as Bruno Telushin. Gjasat janë të vogla gjithsesi, duke bërë që sërish Bordin të jetë i privuar nga mungesat edhe në këtë ndeshje.

MERAKU PËR OFENSIVËN Duke lënë mënjanë paraqitjen me Dinamon, ku asgjë nuk shkoi si duhet, Elbasani ka pasur gjithnjë siguri në prapavijë. Meraku ka qenë gjithnjë sulmi dhe golat që vijnë nga ky repart. Edhe pse Bordin është përpjekur që të bëjë shpesh lëvizje në këtë repart, ku vetëm Ze Gomesh ka pasur vendin e sigurt të titullarit, sërish nuk ia ka dalë të gjejë çelësin e suksesit, për të zhbllokuar lojtarët e këtij reparti.

Dy sulmuesit e tjerë që kanë bërë “pykën” si Blaise Tsage dhe Amarildo Gjoni, nuk kanë provuar ende shijen e golit. Vetëm Arsen Lleshi është zhbllokuar me ato pak minuta që ka luajtur dhe fitorja e fundit mban pikërisht firmën e tij me rrjetën e realizuar në Ballsh. Me pak fjalë, meraku i trajnerit dhe vetë Elbasanit përpara ndeshjes me Laçin, është mënyra sesi do të shkojnë te goli, në një kohë që sulmuesit nuk po i japin zgjidhje këtij ngërçi.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

dsaadmin

Learn More →