Ajo që e veçon Liverpulin nga rivalët për titull është forca sulmuese e skuadrës së Arne Slotit. Javën e shkuar heroi ishte Darvin Nunjez që vinte nga stoli dhe shënonte në fund, këtë herë ishte Kodi Gakpo me një tjetër dopietë.
Por skenari nuk është i njëjtë, duke qenë se golat e holandezit vetëm e thelluan avantazhin, siguruar nga Sobozlai në minutën e 11-të dhe i zakonshmi Salah, i cili shënoi golin e 23-të në të gjitha kompeticionet këtë sezon. Egjiptiani kaloi edhe Tieri Henrinë, duke u bërë golashënuesi më i mirë në historinë e Premier Ligës me 176 gola, ndërsa është vetëm 1 gol larg shënuesit të gjashtë më të mirë, Frenk Lampardit. Kjo është arsyeja përse Liverpuli po e kalon sezonin e parë pas epokës së Jyrgen Klopit +6 pikë nga vendi i dytë dhe me një ndeshje më shumë në dispozicion. Viktima e fundit ishte Ipsuiçi, ndërsa Slot shkurton me një tjetër javë takimin e tij me titullin e parë të Premier Ligës.
Holandezi e quajti një paraqitje në kufijtë e perfektes përballjen e fundit në “Anfield”, e cila u dominua nga skuadra e tij: “Kjo është nisja që ti dëshiron nga një ndeshje. Ne ishim agresivë, dominues për 85 minuta. Ata mezi shkuan në gjysmëfushën tonë. Ipsuiçi është një kërcënim në kundërsulm nga krahët me lojtarët që kanë, por ne arritëm që ta kontrollonim shumë mirë, për shkak të punës së madhe që bëmë. Ishte gati paraqitja perfekte”.
Ai vlerësoi edhe një herë tjetër punën e Mohamed Salahut, i cili dha kontributin e tij me golin e radhës në Premier Ligë, por trajneri përmendi punën që ai po bën në mbrojtje: “Për Mo flitet kryesisht për kontratën dhe golat e tij, por tani është edhe puna e madhe në mbrojtje. Mendoj se ai spikati në këtë drejtim. Është shumë e vështirë që të kontrollosh një kundërsulm dhe e vetmja mënyrë për ta bërë këtë është ajo që bëri Mo në atë moment dhe lojtarët e tjerë në momente të ndryshme”.
ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL