Ligji i ri në Gjeorgji rrezikon raportimin e pavarur në media

ligji i ri ne gjeorgji rrezikon raportimin e pavarur ne media
ligji i ri ne gjeorgji rrezikon raportimin e pavarur ne media

Gjeorgjia shikohej dikur si një vend i sigurt për gazetarët. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Liam Scott, me hyrjen në fuqi të një ligji të ri, kritikët tonë se liria e shtypit në Gjeorgji është tashmë në rrezik.

Dhjetëra mijëra njerëz dolën këtë vit në rrugët e kryeqytetit të Gjeorgjisë, Tbilisi, për të protestuar kundër një ligji të ri për organizatat që marrin financime nga jashtë.

Por, pa ndonjë rezultat. Me hyrjen e ligjit në fuqi në shtator, organizatave jofitimprurëse dhe mediave që marrin mbi një të pestën e financimit të tyre nga burime të huaja iu duhet të regjistrohen si të ashtuquajtur agjentë të huaj, ose në të kundërt, ndaj tyre fillon inspektimi dhe vendosja e gjobave të rënda.

Mbështetësit e ligjit thonë se ai synon të mbështesë transparencën dhe sovranitetin e Gjeorgjisë.

Por, analistët paralajmërojnë se ky legjislacion mund të përdoret për të heshtur kritikët e qeverisë dhe për ta larguar Gjeorgjinë edhe më shumë nga perëndimi.

“Nëse iu duhet të regjistrohen, kjo do të kufizojë mundësitë e tyre për të raportuar lirisht dhe në mënyrë kritike ndaj autoriteteve. Por, nëse nuk regjistrohen, atëherë mund të rrënohen financiarisht”, i tha Zërit të Amerikës, Gulnoza Said, nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Gjeorgjia ishte ndër vendet me më shumë liri brenda ish-Bashkimit Sovjetik. Por, ajo i është afruar më shumë Moskës gjatë viteve të fundit, ndërsa liria vazhdon të përkeqësohet dhe korrupsioni të rritet, thotë zonja Said.

“Gjeorgjia gjendet në një udhëkryq mes Rusisë dhe Perëndimit”, shton ajo.

Disa organizata në Gjeorgji thonë se preferojnë të paguajnë gjobat, sesa të regjistrohen si agjentë të huaj. Ndër to është edhe Fondacioni për Zhvillimin e Mediave, që mbron lirinë e shtypit.

“Është një kohë shumë e komplikuar për institucionet e pavarura në Gjeorgji, por kjo është lufta jonë. Duhet të mbrojmë të drejtat tona dhe duhet të mbrojmë demokracinë në Gjeorgji”, i tha Zërit të Amerikës, Tamar Kintsurashvili, nga Fondacioni për Zhvillimin e Mediave.

Gjeorgjia është vendi më i fundit në rajon që miraton një ligj të stilit rus. Kazakistani dhe Kirkiztani kanë miratuar gjithashtu ligje të ngjashme.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →