Lidhja e koncesioneve të Shëndetësisë me kompanitë e mbetjeve spitalore/ Loja e aksionerëve, dyshime se fondet përfundojnë në të njëjtën dorë

lidhja e koncesioneve te shendetesise me kompanite e mbetjeve spitalore loja e aksionereve dyshime se fondet perfundojne ne te njejten dore
lidhja e koncesioneve te shendetesise me kompanite e mbetjeve spitalore loja e aksionereve dyshime se fondet perfundojne ne te njejten dore

Emisioni investigativ Vetting në News24

Kompania “Eco Riciklim” është themeluar në vitin 2016 nga Fatos Deliu. Disa muaj më pas, Deliu i shet një pjesë të aksioneve Ervin Meçes dhe Adriatik Memës. Në 2018 i kalon pjesën e mbetur të aksioneve Klodian Shehit duke u larguar përfundimisht nga kompania. Por cikli nuk mbyllet me kaq sepse Fatos Deliu deri në fillim të vitit 2021 rezulton drejtor i kompanisë “Eco Riciklim”. Por Fatos Deliu është themelues i kompanisë “Sanitary Cleaning”, e cila aktualisht është në pronësi të kompanisë “SERVIZI ITALIA S.P.A”.

[embedded content]

Në 17 gusht të vitit të kaluar, SPAK arrestoi Ilir Rrapaj nën akuzën e “mashtrimit me pasoja të rënda”, së bashku me ish-zv/ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, i akuzuar për shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve për koncesionin e sterilizimit.

Nën hetim për këtë koncesion është edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ndaj të cilit Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”. Përpara se të kalonte pjesën e mbetur të aksioneve te njëra nga kompanitë që zotëron koncesionarin e sterilizimit, Deliu i ka shitur aksionet e veta tek kompania hollandeze “Berin B.V”, e cila është offshore.

Por “Vetting” zbulon se drejtoresha e kësaj kompanie Tamara Alexandra Eleonora Wingelaar ka qenë si drejtoreshë, edhe tek kompania “AB Laboratory Solutions BV”.

Kjo kompani mban 33% të konsorciumit që ka fituar konçensionin për Laboratorët privatë (bashkë me shoqërinë shqiptare Labopharma sh.p.k me 41.7% dhe shoqërinë franceze Exalab me 25 %). Nga burime të rezervuara, “Vetting” zbulon se agjentët të Byrosë Kombëtare të Hetimit me urdhër të SPAK, kanë kryer kontrolle te kompania “Delta Med”, e cila ka si aksioner Ertel Kërçukun, kompaninë “E V I TA”, ish-aksionere e check up-it, duke përforcuar dyshimet se fondet publike për Shëndetësinë shkojnë në të njëjtën shportë.

“2,78% paguhet aktualisht për Shëndetësinë. Aktualisht dhe nga kjo 2,78% që është tejet shumë pak, një masë e madhe merret për koncesionet. Pra, po ti fusim 4 koncesionet bashkë, për 2024, do gjejmë që 17 miliardë e gjysëm lekë paguhen për koncesionet e sterilizimit. Edhe pse diskutimet janë shumë të qarta dhe po diskuton pikërisht SPAK-u këtë drejtim, se si është bërë kjo.

18,5 milionë euro i ka koncesioni i laboratorëve, 8.7 miliardë lekë të tjera i ka koncesioni i Check-Up dhe 9.2 miliardë lekë të tjera i ka koncesioni i Hemodializës. Po t’i marrësh të gjitha bashkë bëjnë 54 miliardë lekë, kjo është shifra që po hyjmë ne vetëm për 2024 për këto koncesione, heqim të gjitha të tjerat, 54 miliardë lekë”, thotë mjeku Ilir Alimehmeti.

Por historia e kompanive koncesionare nuk ndalet vetëm tek pagesat nga koncesionet, pasi “Sanitary Cleaning” ka një histori të gjatë edhe me lavanderitë e spitaleve publike.

Në vitin 2017, një vit para se t’i bashkohej kompanisë “Servizi Italia”, “Sanitary Cleaning” fitoi tenderin e lavanderisë së Spitalit të Durrësit, me vlerë rreth 1.5 milionë euro. Në qershor të 2017 është hapur gara për këtë tender ku kanë marrë pjesë 5 kompani dhe të gjitha janë skualifikuar, duke shpallur fitues “Sanitary Cleaning”.

Dy kompanitë e tjera, “Devis” shpk dhe “Shpresa” sh.p.k bënë ankesë tek Komisioni i Prokurimeve Publike. KPP-ja refuzoi kërkesën e kompanive konkurruese pavarësisht indicieve për shkelje në këtë garë.

Nga kërkimet e “Vetting” rezulton se Spitali i Durrësit ka ndryshuar dokumentet e tenderit, duke ulur kushtet për xhiron vjetore, kusht që favorizon kompanitë e reja. Gara është shënuar me “flamur të kuq” nga Open Data Albania, e cila tregon se gara ka indicie për favorizim kompanish ose korrupsion nga institucioni që ka organizuar tenderin.

Spitali Universitar i Trames, shpenzime pa fund, ilaçe me pikatore
Spitali i Traumës është pjesë e paradoksit që paraqet shëndetësia shqiptare. Sipas KLSH, ky spital ka tejkaluar shpenzimet financiare për periudhën 2021-2022, madje me projekt-buxhet të pa miratuar nga Bordi Drejtues i SUT-së. Raporti thekson edhe faktin se nuk ka planifikim për buxhetin dhe ka probleme me transparencën.

“Në hartimin e Projekt Buxheteve nuk janë marrë në konsideratë kërkesat e kryera nga departamentet sipas strukturës organizative, nuk ekziston asnjë  shkresë e përgjegjësve të departamenteve dërguar Grupit për Menaxhimin Strategjik”, thuhet në raportin e KLSH.

Por, edhe pse janë tejkaluar shpenzimet, edhe pse janë rritur kostot, KLSH ka theksuar faktin që ka mungesë barnash dhe mungesë stafi, duke ndikuar në shërbimin ndaj pacientëve. Mungesa e ilaçeve është evidentuar edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, sipas të cilës Shqipëria renditet e para në rajon për nivelin e lartë të shpenzimeve që qytetarët mbulojnë nga xhepi i tyre.

Nga këto të dhëna zbulohet se një shqiptar shpenzon mesatarisht 460 USD në vit për shëndetësinë, shpenzime që i mbulon nga xhepi i vet.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →