Udhëheqësit në të gjithë Amerikën, por edhe më gjerë kanë reaguar ndaj njoftimit të autoritetit zgjedhor të Venezuelës në orët e para të së hënës se presidenti Nicolas Maduro ka fituar edhe një mandat të tretë në detyrën e tij, pavarësisht se sondazhet e shumta kanë treguar që fituese e zgjedhjeve presidenciale është opozita.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka shprehur skepticizëm pas shpalljes së rezultatit.
“E kemi parë njoftimin nga komisioni zgjedhor i Venezuelës. Kemi shqetësime serioze se rezultati i shpallur nuk pasqyron vullnetin ose votat e popullit”, ka thënë ai.
Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka kërkuar transparencë të plotë në procesin zgjedhor.
“Populli i Venezuelës votoi për të ardhmen e vendit të tyre në mënyrë paqësore dhe në numër të madh. Vullneti i tyre duhet respektuar. Nevojitet transparencë e plotë në procesin zgjedhor, duke përfshirë numërimin e detajuar të votave dhe qasjen në të dhënat e votimit në qendrat e votimit”, ka thënë ai.
Presidenti i Kilit, Gabriel Boric, ka thënë se “regjimi i Maduros duhet ta kuptojë që rezultatet janë të vështira për t’u besuar. Komuniteti ndërkombëtar dhe populli i Venezuelës kërkon transparencë totale”.
Pak para shpalljes së rezultateve, presidenti argjentinas, Javier Milei ka thënë se vendi i tij nuk do të njohë asnjë mashtrim dhe se e mbron demokracinë.
Edhe ministri i Jashtëm i Kolumbisë, Luis Gilberto Murillo ka kërkuar që të pasqyrohet çdo dyshim për rezultatet.
“Bëjmë thirrje për numërimin total të votave , verifikimi i tyre dhe auditimi i pavarur të kryhen sa më shpejt”, ka thënë ai.
Presidenca e Kosta Rikës ka refuzuar kategorikisht shpalljen e Maduros si president të Venezuelës.
“Ne do të punojmë me qeveritë demokratike të kontinentit dhe organizatat ndërkombëtare në mënyrë që vullneti i shenjtë i popullit të respektohet”, thuhet në njoftim.
Siç është bërë e ditur, Maduro ka fituar rreth 51.20 për qind të votave, ndërsa rivali i tij kryesor Edmundo Gonzalez rreth 44.02 për qind.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co