Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen vlerësoi “rezistencën e jashtëzakonshme” të Ukrainës ndërsa mbërriti në Kiev sot në përvjetorin e dytë të fillimit të pushtimit rus.
“Në Kiev për përvjetorin e vitit të dytë të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, për të festuar rezistencën e jashtëzakonshme të popullit ukrainas. Më shumë se kurrë, ne qëndrojmë të vendosur me Ukrainën financiarisht, ekonomikisht, ushtarakisht, moralisht. Derisa vendi të çlirohet përfundimisht”, shkroi ajo në X.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ndodhet në Kiev në përvjetorin e dytë të luftës në Ukrainë dhe prej këtu do të mbajë videokonferencën e G7, në të cilën do të flasë edhe Volodymyr Zelensky.
Meloni mbërriti në kryeqytet me të njëjtin tren me të cilin udhëtuan presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Alexander De Croo, kryeministri i Belgjikës i cili është presidenti i radhës i Këshillit të BE-së dhe kryeministri kanadez Justin Trudeau.
Udhëtimi vetëm tani është zyrtarizuar për arsye sigurie.
“Kjo tokë është një pjesë e shtëpisë sonë dhe ne do të bëjmë pjesën tonë për ta mbrojtur atë”, theksoi Meloni në aeroportin Antonov të Kievit.
“Dy vite luftë, të goditur dhe të rrahur, por ende në këmbë. Ukraina po lufton për veten, për idealet e saj, për Evropën tonë. Përkushtimi ynë në krah të tij nuk do të zbehet”, deklaroi presidenti francez, Emmanuel Macron.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz bëri thirrje urgjente për ndihmë më të madhe ushtarake për Ukrainën dhe paralajmëroi për pasojat e tmerrshme të një fitoreje nga ana e Rusisë.
“Mbështetësit e Ukrainës duhet t’i dërgojnë një sinjal të qartë presidentit rus Vladimir Putin dhe liderëve të tjerë agresivë kudo në botë”, tha Scholz më herët në Berlin.
‘’Ukraina mbetet një plagë e hapur në zemër të Evropës. Ka ardhur koha për paqen, për një paqe të drejtë bazuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara, ligjin ndërkombëtar dhe rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres në prag të përvjetorit të dytë të pushtimit rus.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i kërkoi Ukrainës dhe aleatëve të saj “të mos e humbin zemrën” në përvjetorin e dytë të pushtimit rus të vendit.
“Situata në fushën e betejës mbetet jashtëzakonisht e vështirë. Qëllimi i presidentit Putin për të dominuar Ukrainën nuk ka ndryshuar dhe nuk ka asnjë shenjë se ai po përgatitet për paqe. Por ne nuk duhet të humbasim shpresën”, shtoi ai.
Drita do të triumfojë mbi “errësirën”, deklaroi në përvjetorin e dytë të pushtimit rus të Ukrainës, kreu i ushtrisë së Kievit, Oleksandr Syrsky.
“Jam i bindur se uniteti është fitorja jonë. Sepse drita fiton gjithmonë errësirën!”, tha Syrsky në rrjetet sociale.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co