Lara Kolturi vijon me paraqitjen e shkëlqyera gjatë këtij sezoni në garat e Kupës së Botës. Skiatorja italiane që garon për Shqipërinë, ka regjistruar dje një rezultat të madh në etapën e radhës së Botërorit, në garën e sllallomit gjigant që u zhvillua në Kronplatz të Italisë.
Kolturi spikati me dy zbritje shumë të mira, duke u renditur në vend të katërt. Ajo e ndali kronometrin në kohën 57.00 në zbritjen e parë, ndërsa fiksoi kohën 59.50 në zbritjen e dytë, duke e mbyllur me rezultatin total 1:56.50, për të “flirtuar” me podiumin.
Gara e djeshme e sllallomit gjigant u fitua nga Alice Robinson e Zelandës së Re, me kohën e përgjithshme 1:55.28. Në vend të dytë u rendit Lara Gut-Behrami e Zvicrës me rezultatin 1:55.84, ndërsa podiumi u plotësua nga Paula Moltzan e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me kohën 1:56.22. Ndërkohë, duke kaluar në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës, me paraqitjen e djeshme, Lara Kolturi ka ngjitur dy shkallë, teksa tashmë klasifikohet në vendin e katërt në kuotën e 198 pikëve të grumbulluara gjatë këtij sezoni.
Renditja kryesohet nga Alice Robinson me 300 pikë, më tej në vend të dytë pozicionohet suedezja Sara Hector me 296 pikë, ndërsa e treta klasifikohet Federica Brignone e Italisë me 200 pikë. Ndonëse vetëm 18 vjeç, Lara Kolturi po lë gjurmë që në sezonin e saj të parë mes skiatoreve më të mira të botës, duke marrë menjëherë rol protagonisteje dhe jo më kot konsiderohet si një prej talenteve më të mëdha të këtij sporti.
Kujtojmë që gjatë këtij sezoni në Kupën e Botës, Kolturi ka bërë historinë, duke u ngjitur dy herë në podium me flamurin e Shqipërisë, pasi ka siguruar dy vende të dyta. Gara e radhës për Kolturin do të jetë në Courchevel të Francës më 30 janar, me konkurrimin në disiplinën e sllallomit.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL