Gazment Bardhi, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, pas seancës plenare, ku u miratuan ndryshimet në Qeveri dhe u votua Elisa Spiropali si Kryetare e Kuvendit, tha se krimi i organizuar ka diktuar emërimet e reja.
Bardhi, i cili u kthye në një protagonist në seancë plenare, për shkak të përplasjeve që krijoi me Lindita Nikollën, e cila drejtonte Kuvendin në seancën e fundit, tha se 3 ministra janë individë anonimë që janë keqpërdorur në pozicionet e tyre administrative deri më sot nga grupet më të fuqishme kriminale të përqendruara na qarkun e Durrësit.
“Së pari më lejoni të shpreh qëndrimin tonë në emër të grupit të PD për këtë që ndodhur sot. Nga sot krimi i organizuar është dhe më i fuqishëm në qeverisjen e vendit. Në mënyrë të drejtpërdrejtë i ka diktuar Edi Ramës tre emërimet e reja në kabinetin qeveritarë, individë anonimë, që ishin keqpërdorur në pozicionet e tyre administrative deri më sot nga grupet më të fuqishme kriminale të përqendruara na qarkun e Durrësit”, tha Bardhi.
Në vijim ai tha se në drejtimin e Kuvendit nuk do të ketë asnjë dallim me largimin e Nikollës dhe emërimin e Spiropalit.
“Për ne nuk ka asnjë dallim mes Nikollës dhe Spiropalit. Edi Rama kontrollon gjithçka. Deputetët e tyre i trajtojnë si kartona që ngrihen dhe ulen, jo si përfaqësues të interesit publik. Keni dëgjuar ndonjëherë Kryeministrin të kërkojë ndjesë për Ahmetajn, Beqajn, Tahirin, Kokën? Të gjithë ministra të shkuar para drejtësisë për shkak të aferave të qeverisë. Nuk e ka bërë kurrë. Në vend që të vendosë pikën te problemi, nuk thotë jam unë, por problemi është Klevis Xhoxhi apo Zaka e Korçës.
Kjo tregon se sa kohë nuk kërkon ndjesë për aferat korruptive, do të thotë që mollët dhe dardhat i kanë ngrënë bashkë, kanë shtuar dhe qofte”, tha ai.
I pyetur nëse ka frikë të shkojë në zgjedhje me PS-në, Bardhi tha: “Rama do të vijojë të vjedhë zgjedhjet të përdorë krimin, administratën, paratë e pista. Ky është modeli i tij, të vjedhë zgjedhjet që të vjedhë Shqipërinë”.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co