Sot u bënë 20 vjet nga mbytja e tre fëmijëve në lumin Ibër në fshatin Çabër të Zubin Potokut. Katër fëmijë shqiptarë u ndoqën nga një grup të rinjsh të komunitetit serb. Për të shpëtuar nga sulmi, të vegjlit u hodhën në lumë. Për shkak të të ftohtit, nga lumi i gjallë doli vetëm Fitim Veseli.
Kurti, duke kujtuar këtë ngjarje tronditëse, shprehet se drejtësia për krimet serbe në Kosovë ende nuk është dhënë.
“Lajmi për mbytjen në lum të Egzon Deliut, 13 vjeç, Avni Veselit, 12 vjeç, dhe Florent Veselit, 9 vjeç, u shpërnda rrufe dhe jehoi kobshëm në çdo cep të vendit. Protestat e qytetarëve në rrugë ishin përgjigjja e menjëhershme. Pa thirrje të organizuar e pa organizim në mbarëvajtje, ato shumë shpejt morën përmasa masive duke përfshirë gjithë Kosovën”, shkruan Kurti në llogarinë e tij në FB.
“E kur protesta është spontane e pa organizim, që ajo të jetë paqësore dhe e qetë duhet që secili pjesëmarrës të jetë paqësor e i qetë. Ndërsa për t’u bërë e dhunshme mjaftojnë vetëm një grusht i protestuesve të jenë të tillë. Dhe kështu ndodhi. Madje, fillimisht ato ishin të drejtuara kundër UNMIK-ut e, më pas, se kush i orientoi drejt vendbanimeve me serbë dhe kishave e manastireve ortodokse nuk u sqarua asnjëherë”, shprehet më tej Kurti.
Në Mitrovicë u vranë gjashtë qytetarë: Fatmir Abdullahu, Ferid Çitaku, Isak Ibrahimi, Ajvaz Shatrolli, Jana Tuçe (nga Maqedonia e Veriut) dhe Borivoje Spasojeviç.
Në Lipjan tre: Nenad Vesiç, Nevzat Rrahmani dhe Arben Shala. Në Gjilan një: Sllobodan Periç.
Në Bellopojë një: Esat Tahiraj, nga Novosella.
(Balkanweb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co