Presidenti i Republikës Bajram Begaj, uroi sot nisjen e vitit të ri akademik 2024-2025 në Shqipëri.
Presidenti Begaj zgjodhi të përshëndesë studentët dhe pedagogët këtë vit nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, një nga më të vjetrit në Shqipëri dhe i pari në të gjitha rankimet kombëtare e ndërkombëtare.
Gjatë fjalës përshëndetëse, Presidenti Begaj këshilloi studentët të përkushtohen në studime për të dhënë modelin e arritjes së suksesit përmes mundit që shpërblehet dhe jo përmes rrugës së shkurtër të arritjeve pa meritë.
“Shfrytëzojeni këtë mundësi dhe kohë! Studioni e mësoni shumë! Mësoni edhe nga ata, rinia e të cilëve ofronte shumë pak mundësi. Kurrë mos u dorëzoni! Eksploroni gjithçka në fushën që keni zgjedhur dhe bëni miq të mirë!”
Presidenti i Republikës inkurajoi studentët të ndjekin shembuj motivues. Ndërsa jemi në “Tetorin e librit”, Presidenti Begaj rekomandoi ‘Make Your Bed’ të Admiralit William H. McRaven, një libër që të frymëzon me këshillat e tij, filozofia e të cilit është: Nëse nuk arrijmë të bëjmë siç duhet gjërat e vogla, ne nuk do të mundim të kryejmë asnjëherë siç duhet gjërat e mëdha. Gjërat e vogla mund t’ju ndryshojnë jetën dhe ndoshta botën”.
“Patjetër që shembuj pozitivë ka plot”, – u shpreh Presidenti Begaj, i cili ndau me studentët edhe modelet shqiptare që frymëzojnë.
“Dua t’ju them se gjatë këtyre 2 viteve si President i Republikës kam shkuar në shumë treva të Shqipërisë dhe vërtetë ka shumë shembuj që meritojnë të vlerësohen, meritojnë të përqafohen, nga Shkodra, nga Saranda, nga Konispoli, nga Peqini, nga Elbasani, ka shumë e shumë që realisht meritojnë medalje, por unë dua të përmend një shembull që më ka prekur shumë, një shembull që vjen nga nxënësit e shkollës profesionale të Cërrikut. Ata nxënës, me shumë dashuri dhe pasion, demonstronin bankën e tyre të farërave, fara të drithërave, të cilave ata iu kushtonin një rëndësi të madhe, jo vetëm sepse i mbronin, jo vetëm se i promovonin, por sepse ata i shkonin çdo fermeri për t’ju treguar se cila ishte fara e duhur për t’u mbjellë. Unë besoj se shembullin e këtyre nxënësve do ta kemi nesër me ju kur të diplomoheni”.
Presidenti i Republikës përgëzoi të rinjtë që kanë zgjedhur të qëndrojnë e të studiojnë në Shqipëri, ndërsa vlerësoi si detyrim të autoriteteve shtetërore plotësimin e kushteve të jetës universitare, si dhe garantimin e tregut të punës.
“Ju jeni brezi që do të ndërtojë Shqipërinë e të nesërmes, një Shqipëri të zhvilluar, të qëndrueshme e të fortë, dhe së shpejti anëtare e Bashkimit Evropian. Kjo rrugë nuk do të jetë e lehtë, por jam i bindur se me përkushtim, punë të palodhur dhe dashuri për dijen, mund të arrini çdo gjë që dëshironi. Shqipëria ka potencial të jashtëzakonshëm, por vlera më e madhe e këtij potenciali jeni ju, rinia e saj. Suksesi juaj është suksesi i Shqipërisë dhe së bashku duhet të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë”, – u shpreh, ndër të tjera, Presidenti Begaj, i cili, duke iu referuar avancimit të pandalshëm të teknologjisë, theksoi se të rinjtë shqiptarë duhet të përgatiten për sfidat e të ardhmes duke thelluar njohuritë dhe përvetësimin e aftësive të reja.
Presidenti i Republikës inkurajoi studentët të fokusohen në jetën universitare dhe të kërkojnë çdo të drejtë që u përket: “Kërkoni atë që ju duhet në jetën tuaj universitare! Kërkoni të drejtën tuaj! Këmbëngulni që të merrni dijen! E ardhmja varet nga ju!”
Gjithashtu, Presidenti i Republikës Bajram Begaj, u kërkoi drejtuesve të universiteteve dhe pedagogëve të jenë udhërrëfyes dhe frymëzues për të rinjtë përmes promovimit të lirisë akademike, investimeve në kërkimin shkencor dhe rritjes së cilësisë së edukimit, një nga elementët thelbësorë për rininë shqiptare.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co