KUALIFIKUESET E BOTËRORIT/ Debutimet, Shqipëria rekord në 5 edicione. 23 vite pa humbje, shifra që japin shpresë për në Angli

kualifikueset e boterorit debutimet shqiperia rekord ne 5 edicione 23 vite pa humbje shifra qe japin shprese per ne angli
kualifikueset e boterorit debutimet shqiperia rekord ne 5 edicione 23 vite pa humbje shifra qe japin shprese per ne angli

E 14-ta e vërteta. Shprehja nuk është kështu, por na intereson të jetë e tillë. Ne e dimë që ndaj Anglisë është një mision i vështirë dhe thuajse i pamundur, por në futboll asgjë nuk parashikohet.



Në futboll ka edhe surpriza, ku ekipe të vogla mund të befasojnë të mëdhatë. Duke u lutur që ata të mos jenë në ditën e tyre më të mirë dhe ne të bëjmë gjithçka në mënyrë perfekte. Kjo është një rrugë për t’ia dalë. Në “Uembli” duhen thyer shumë tabu dhe Silvinjo i di mirë se si bëhet kjo punë. Kombëtarja shqiptare do të nisë sot në mbrëmje rrugëtimin drejt një ëndrre, për të luajtur për herë të parë një Botëror.

Deri tani nuk ia ka dalë kurrë, pavarësisht 13 tentativave të mëparshme. Dhe ja ku është një tjetër mundësi për djemtë kuqezinj që të tentojnë Botërorin e vitit 2026 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas pjesëmarrjes në dy kampionate Europianë, ky është misioni që nuk kemi përmbushur me sukses dhe dera që nuk e kemi hapur dot kurrë. Me mbështetjen e tifozëve kuqezinj në “Uembli” që do të jenë afro 20 mijë, Kombëtarja shqiptare do të tentojë gjithçka.

E PAMPOSHTUR- Për të gjithë ata që janë të dashuruar me statistikat, Kombëtarja shqiptare ka një që na bën me shpresë në prag të duelit të tmerrshëm ndaj “Tre Luanëve”. Ndoshta pak e dinë, por Shqipëria është e pamposhtur në 5 ndeshjet e para të eliminatoreve të fundit të Botërorëve, duke koleksionuar rezultate shumë pozitive në start. Nuk thonë kot, që fillimi i mbarë është gjysma e punës. Punë, që në fakt në edicionet e mëparshme ka mbetur përgjysmë për shumë arsye. Madje më mirë se kaq, kuqezinjtë kanë fituar 3 ndeshjet debutuese në 3 kualifikueset e fundit. Për t’u futur në detaje, le ta nisim nga fundi.

Shqipëria ka arritur të triumfojë 0-1 në Andorrë për Botërorin e vitit 2022. Edhe pse me rezultat minimal mori 3 pikë të rëndësishme, falë golit të Ermir Lenjanit. Ishte eliminatorja që i shkruam afër me Edi Rejën por humbëm në duelin direkt kundër Polonisë në “Air Albania”. E mbyllëm në vendin e tretë. Për të shkuar 4 vite më parë, kur ishte “epoka” e De Biazit. Shqipëria fitoi 2-1 me Maqedoninë e Veriut në “Loro Boriçi” dhe për Botërorin e vitit 2014 fitoi 3-1 ndaj Qipros në “Qemal Stafa” me golat e Sadikut, Çanit dhe Bogdanit. Për Botërorin e Afrikës së Jugut, kuqezinjtë e nisën rrugëtimin me një barazim 0-0 ndaj Suedisë në Tiranë. Bilanci vazhdon të jetë ende pozitiv edhe në eliminatoret e Botërorit të Gjermanisë, kur kuqezinjtë pritën Greqinë kampione të Europës duke e mposhtur 2-1 me golat e Muratit dhe Aliajt. Pra, Shqipëria di të bëjë mirë në startet e Botërorëve të paktën në 20 vitet e fundit, edhe pse gjithçka varet nga rivali. Këtë herë shorti na ka vënë përballë një rival të tmerrshëm dhe kandidat për të fituar këtë kompeticion. Por ne shkojmë aty për të ruajtur këtë rekord.

BILANCI- Në total, Shqipëria ka marrë pjesë 13 herë në eliminatoret e Botërorit dhe në ndeshjet debutuese ka 5 fitore, 1 barazim dhe 7 humbje. Këtyre 4 fitoreve të ndeshjeve të fundit iu shtohet edhe një për Botërorin e vitit 1982, kur kuqezinjtë mposhtën 2-0 Finlandën. Përpara viteve ’90-të gjithçka ka qenë më e vështirë dhe kuqezinjtë kanë marrë humbje, duke treguar limite, edhe pse hera herës futboll të bukur.

GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL

dsaadmin

Learn More →