Ajo që lamë pas duhej të ishte një javë për të larguar dyshimet pas fillimit të sezonit me ulje-ngritje për Realin. Një sezon që ka hapur debat pas debati në analizën e Madridit: përshtatshmëria e Mbapesë, jeta në mesfushë pa Kros, nevoja për të përforcuar mbrojtjen.
Fitorja me përmbysje ndaj Dortmundit dukej se i kishin mbyllur plagët, por humbja ndaj Barcelonës ka hapur edhe më shumë plagët e Madridit, një skuadre që mbetet gjashtë pikë pas katalanasve në renditje, por shumë larg nivelit të lojës së skuadrës së Flik. Dhe duke parë Ançelotin të thotë se ka probleme që duhet të zgjidhin, situata qartësohet më shumë. Në këtë prizëm, shumë debate mbeten të nxehta.
NË KËRKIM TË SISTEMIT – Brenda identitetit të shumëfishtë që Ançeloti dëshiron të ketë ekipi i tij, në sezonet e fundit sistemi i Madridit ka qenë pak a shumë i qartë: 4-4-2 dhe 4-3- 3. Dy module që kanë pasur vazhdimësi në periudha të ndryshme, me rregullime minimale, sipas konfigurimit të skuadrës, situatën e saj dhe kontekstin e ndeshjeve.
Nëse e Champions-i numër 14 u arrit me një 4-3-3 me treshen e formuar nga Vinicius, Benzema dhe Rodrigo apo Valverde, rruga drejt të 15-tës u shënua nga mungesa e një “9” dhe shfaqjen e figurës së Bellingamit, i cili e shtyu Ançelotin drejt një 4- 4-2. Këtë sezon trajneri ka provuar të dy formacionet, ka flirtuar me 4-2-3-1 dhe disa ditë më parë në Vigo eksperimentoi edhe me një 3- 4-1-2. Në tri ndeshjet e fundit, italiani ka vendosur tri sisteme të ndryshme: atë 3- 4-1-2 kundër Seltës, 4-3-3 kundër Dortmundit dhe 4-4- 2 në “El Clasico”.
ORIENTIMI I PAQARTË PËR BELLINGAM – Anglezi është i padiskutueshëm në formacionin titullar, por ai po ndërron shpesh pozicionin e tij në mesfushë. Sezonin e kaluar Ançeloiti e vendosi në majën e një mesfushe në formë rombi, duke i dhënë më shumë liri veprimi dhe e mbajtur atë më afër portës së kundërshtarit. Rezultati ishte: 17 gola dhe 5 asiste në 20 ndeshjet e tij të para si lojtar i Realit. Ardhja e Mbapesë ka bërë që anglezi të tërhiqet prapa dhe shifrat janë mbresëlënëse, por në aspektin negativ: 11 ndeshje, zero gola!
MBAPE – Francezi është i aftë për të shënuar 30 ose 40 gola dhe lojtari të cilit i referohej Ançeloti. Nisja e tij nuk ka qenë e jashtëzakonshme. Por nuk mund të thuhet as keq. Ai është shfaqur mesatarisht: numëron tetë gola në 14 ndeshje në një sezon që mund të shkojë deri në 72 ndeshje për Madridin. Por “El Clasico” e tij e parë ishte zhgënjyese: 8 herë në pozicion jashtë loje dhe e vetmja herë që shënoi goli i tij u anulua nga VAR.
VALVERDE DHE KAMAVINGA – Përveç Bellingam, kërkimi për sistemin perfekt ka bërë edhe dy “viktima” të tjera: Valverde dhe Kamavinga. Ashtu si në vizatim, uruguaiani ka kaluar nëpër disa gjendje këtë sezon: ai ka qenë si një lojtar i brendshëm, si një mesfushor i tërhequr, si një mesfushor qendror dhe si një mesfushor i djathtë. Gjithmonë i kudondodhur, kundër Barcelonës ai ndërhyri vetëm në 51 raste dhe dështoi një nga çdo tri pasime. Një tjetër lojtar që kërkon vendin e tij në mesfushë është Kamavinga.
Francezi ka luajtur katër ndeshje si titullar që kur u rikthye nga dëmtimi: në dy të parat luajti në një mesfushë me dy, kundër Seltës ai ndërroi pozicion me krahun e majtë në varësi të faktit nëse Madridi ishte me apo pa top dhe në “El Clasico” përsëri në krah, një habitat në të cilin është rritur.
Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL