Më 12 korrik në orën 20:00 opozita do të zhvillojë protestën kombëtare para kryeministrisë. Vendimi është marrë në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike, ku Sali Berisha përcolli edhe mesazhin e tij para anëtarëve. Po ashtu është vendosur që të Premten PD të mbledhë Këshillin Kombëtar.
Protesta e 12 korrikut është e parë protestë kombëtare pas marrjes së vulës dhe logos nga grupimi i Rithemelimit, pas vendimit të Gjykatës së Apelit.
Opozita ka zhvilluar disa protesta para Bashkisë së Tiranës, ndërsa prej 6 muajsh protestohet çdo pasdite në atë që njihet si “Rruga e Shpresës” dhe ku protestuesve iu drejton mesazhe nga ballkoni i banesës ku ndodhet në arrest shtëpie, Sali Berisha.
Ish-kryeministri ka bërë thirrje për Qeveri teknike, duke u shprehur se Edi Rama ka humbur legjitimitetin dhe qëndron në pushtet për shkak të dobësisë së opozitës.
“Detyra jonë është një dhe vetem një, shpëtimi i Shqipërisë nga ky regjim dhe krijimi i qeverisë teknike. Rëndom shtrohet pyetja se si mund të krijohet qeveria teknike. Së pari u them shqiptarëve se qeveria teknike krijohet në mënyrën më të pashmangshme, sepse Edi Rama nuk ka më legjitimitet. Edi Rama dëshmoi në zgjedhjet e 14 majit se është i aftë të shkelë çdo ligj, normë kushtetutë. Një qeveri që zbaton ligjet, kushtetutën, ajo qeveris gjer në zgjedhjet e radhës. Një qeveri që nuk ka ligj, normë e moral, ajo qëndron në pushtet vetëm për shkak të dobësisë së opozitës. Ajo nuk meriton as 24 orë të qëndrojë në pushtet në vend dhe ne duhet të ua bëjmë të qartë të gjithë anëtarëve dhe mbështetësve tanë, se në rast se sot qeveris Edi Rama ai qeveris për shkak të dobësive tona dhe këto dobësi duhet të marrin fund sa më shpejt. Opozita është në provën e saj më të madhe në tërë ekzistencën e saj. Do të arrijë ajo të imponojë një qeveri teknike apo të shkojë dhe të firmosë fitoren e radhës së Ramës dhe të ndëshkojë shqiptarët, alternativë tjetër nuk ka”, tha Berisha.
LEXO EDHE:
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co