Milani vjen prej tri humbjesh rad hazi, por përpara një tjetër ndeshjeje delikate siç është e sotmja ndaj Leçes, përsëri polemika. Këtë herë ka qenë trajneri Serxho Konseisao për të cilin zëdhëndësi i tij ka bërë disa komente mbi pakënaqësi të mundshme te Milani.
Gjithçka e mohuar në çast, por që ka ndikuar në konferencën për shtyp dhe humorin e portugezit.
Çfarë mund të na thoni për zërat e orëve të fundit dhe deklaratës së zëdhënësit? Më vjen shumë keq për situatën e krijuar. Nuk e kuptoj përse një bashkëpunëtor i imi bën të tilla deklarata. Nuk e di nëse e ka bërë për dashakeqësi ose sepse ndoshta e kanë paguar. Me sa kam lexuar nga deklarata e tij, besoj se është thjesht dashakaqësi. Më vjen keq për të gjithë, sidomos për ata që punojnë çdo ditë në “Milanello”. Ibra dhe Monkada janë këtu çdo ditë dhe kemi punuar shumë mirë këtë javë. Unë ika nga Porto mes polemikash e nuk thashë kurrë asgjë, ndaj si mund ta bëja diçka të tillë për Milanin, duke qenë ende pjesë e këtij klubi. Ishzëdhënësi im do të më japë përgjigjet që meritoj në rrugë ligjore.
Si ka qenë kjo javë për punën me ekipin? Kam punuar me të gjithë dhe është pozitive, sepse më parë nuk kisha pasur kurrë kohë. Dëshira për të bërë mirë nuk duhet të vihet në diskutim, ajo të vjen automatikisht sapo vesh fanellën kuqezi. Nga djemtë kam marrë vetëm përgjigje pozitive.
Si dilet nga ky moment? Me punë dhe rezultate, por sigurisht edhe pak fat nuk do të na bënte keq. Edhe mua nuk më kishte ndodhur kurrë të humbja tri ndeshje radhazi, por duhet të jemi të bindur në punën e përditshme dhe të japim më të mirën së bashku.
Keni gjetur ndonjë mënyrë për të mbajtur ekipin e fokusuar për 13 ndeshjet e radhës? Kemi 11 finale në kampionat dhe dy në Kupën e Italisë. Inzagi tha se Interi synon tri trofe, ndërkohë që te Milani synojmë dy pavarësisht sezonit negativ. Mundësitë janë, por aktualisht mendojmë vetëm për Leçen.
A keni parë tek lojtarë dëshirë për të reaguar? Po e kam parë, por pas suksesit në Superkupë, mendoj se energjia mendore na ra me barazimin në Kaljarit. Deri ën ndeshjen me Dinamon e Zagrebit kishim një ecuri të mirë, më pas ndryshoi gjithçka. Kemi pasur kundër fatin dhe vendime arbitrash që na kanë prishur punë. Duhet të dal në konferencë dhe e bëj, por e kam të vështirë të flas me ju e të shpjegoj çdo ditë se çfarë po ndodh. A thua se nuk e dini që ka probleme të mëdha ambienti dhe mendësie, ndaj them që e vetmja zgjidhje janë fitore.
A do të ketë revolucion në formacion dhe taktikë ndaj Leçes? Nuk jam mazokist, ndaj formacioni që do të hedh në fushë do të jetë ai që me jep më shumë bindje për të fituar ndeshjen. Zgjedhjet i bëj në varësi të formës. Lojtarët janë të Milanit, por asnjëri nuk ka kontratë e cila i garanton formacionin. Më mua luajnë ata që më japin më shumë garanci.
Shpesh vihet re që në ndeshje e sipër një individ bën një gabim të çuditshëm. Cili është shkaku? Unë dhe stafi im mundohemi që të mbajmë djemtë sa më të qatë. Që nga fillimi i sezonit, ambienti nuk ka qenë ideali, por unë dhe djemtë e dimë që e vetmja gjë që kemi në dorë janë paraqitjet. Ka përgjegjësi që duhen marrë nga të gjithë.
Sapo zbarkuat te Milani, ngritët një trofe. Ku mendoni se gabuat më pas? Kam diçka më shumë se dy muaj dhe ju siguroj se gjërat pozitive kanë qenë më të shumta se ato negative. Sigurisht, si çdo trajner kam bërë edhe unë gabimet e mia, por pas 70 ditësh kjo ka qenë java e parë që kam mundur të punoj siç dua dhe di unë. Kjo përvojë më ka rritur mua, por me siguri edhe skuadrën.
Ju folët për ambient negativ. Ku e keni fjalën dhe si e përjetoni? Unë me djemtë punojmë çdo ditë dhe Ibrën me Monkadën i kemi gjithmonë pranë. Kushdo është i lirë të gjykojë. Disa nga ata që flasin, i kam pasur edhe trajnerë. Arrigo Saki vetëm dy muaj më parë më thurte elozhe e tani çdo ditë flet keq për mua në media. Ai ka pasur kampionë dhe ka fituar. I çova edhe mesazh, por nuk më është përgjigjur.
A mendoni se liderët e Milanit kanë zhgënjyer edhe nën drejtimin tuaj? Lojtarët janë diçka tjetër e personaliteti i tyre diçka tjetër. Unë i vlerësoj si njerëz dhe nuk kanë të meta, por si profesionistë është normale që të mos jenë gjithmonë në kulmin e formës. Djem të kontestuar, si: Leao, Teo apo Menja e kanë treguar në më shumë se një rast se mund të bëjnë diferencën.
Pas humbjes me Dinamon e Zagrebit, folët për një bazë që mungonte. A është tani ajo bazë? Në Zagreb pësuam një gol që ndodh shumë rrallë, më pas Musahu u përjashtua dhe megjithatë arritëm të barazonim. Baza për të cilën po flisja, ishte ambicia që duhet të na çonte direkt në 1/ 8-at e Champions-it. Kur flas pas një disfate, bëhem i ndërlikuar dhe ngaqë jam tip pasionant, i përjetoj gjërat në një mënyrë të caktuar. Edhe nëse fitoj, nuk kam një buzëqeshje të plotë, e jetoj kështu çdo ditë. Unë jam krijuar në këtë mënyrë, jam 50 vjeç e nuk ka gjasa të ndryshoj. Nuk isha i qetë as kur luaja me fëmijët e mi, e lëre më tani në ëndrrën time profesionale që është të jem këtu në Milano. Është mënyra ime për t’i përjetuar gjërat si trajner. Kjo bazë është të kesh këtë qëndrim dhe dëshirë për t’u përmirësuar. A e shoh? Po, dhe qartë madje.
REINOLD BAKALLI-PANORAMASPORT.AL