Agron Gjekmarkaj
Tre kujtime të paharrueshme nga Ismail Kadare !
Sot të gjithë folëm në tavolinat e restorantit “ Piaca” ku u mblodhëm për të kujtuar Ismail Kadarenë duke ja ndier mungesën e konfirmuar prezencën mes nesh.
Askush prej nesh nuk qe aty për ti përcaktuar atij statusin në letrat shqipe apo ato botërore, për atë është kujdesur vetë, si bir i talentit të tij gjenial me veprën shumë dimensionale që i la qytetërimit tonë.
Ndoshta ishim aty si dëshmitar kush më shumë e kush më pak të një marrëdhënieje njerëzorë ku secili sipas këndvështrimit të tij ka gjithmonë diçka për të rrëfyer.
Personalisht e kam filluar komunikimin me shkrimtarin si lexues i tij nga fundi i viteve 80 ku mes rreshtave kërkonim rrugë për lirinë e mohuar dhe horizonte për shpresat tona, duke na ndikuar në të menduar, në të shkruar e në të folur.
Po ashtu e mbase më tepër pas viteve 90 tek vepra e tij ndonjëherë të zhgënjyer nga realitetet që jetonim po aty kërkonim udhëzuesin, modelin, parimet e mbi të gjitha krenarinë intelektuale të një Shqipërie që mes shumë mundimesh dëshironte të bëhej si gjithë Europa!
Në pranverën e vitit 2005 kur po mbyllja ciklin e studimeve në universitetin “La Sapienza” me një punim mbi letërsinë fantastike ku objekt studimi kisha “Kush e solli Doruntinen?” i them profesorit udhëheqës Francesko Mucioli si mendon nëse arrij ti marr një interviste Kadaresë për të ballafaquar analizën tonë me atë çka ai vete mendonte për subjektin dhe personazhet e tij. Më pa më habi “sei matto” ( je i marrë ) më tha me dashamirësi, si mund ti afrohesh një ciklopi të tillë- duke shtuar – do të ishte një mrekulli nëse ja del”?
U ulem dhe bashkërisht shkruam 13 pyetje dhe fati e desh që në Romë ato ditë qëlloi miku Mark Marku, i cili ma mori përsipër se do e provonte duke i shpjeguar Kadaresë se i duheshin për një shok në këto rrethana!
Pas pak ditësh me vjen posta një zarf me emrin e Markut përsipër.
Ismail Kadare me shkrim dore u ishte përgjigjur pyetjeve të mia! Duke i patur ato faqe ndjeva sigurinë e diçkaje që koleget e mi nuk e kishin.
Po atë vjeshtë me Ardian Ndrecen profesorin e Urbanianes së Romës e takuam në shtëpinë e tij në Tiranë. Nga ajo ditë lindi një raport për mua unik. Nuk mund të them se e kisha mik Ismail Kadarenë, më duket fjalë e madhe, e pamerituar, sidomos kur e dëgjoj të përdoret pa doganë pas vdekjes së tij me lehtësinë e ditës , edhe pse shpesh na ftonte për dreka e darka në shtëpinë e tij në Tiranë e Qerret për gjatë viteve apo vinte tek tonat, ne grupin kulturor të filologjikut Mark Markun, Persida Asllanin, Dhurata Shehrin! Interesohej për kurrikulat, mësimdhënien, kritiken, librat në qarkullim, rrymat, revistat. E ndiqte kohen kulturore të vendit të tij me vëmendje të madhe. Temë të preferuar shpesh me ne kishte derivat e gjuhës shqipe, qëndrimet e debatet.
Nuk ishte as pak i zymtë, kishte humor të hollë e qeshte ëmbël. Nuk lejonte ti afrohej asnjë formë e banalitetit.
E konsideroj veten të privilegjuar me fat si dëshmitar i disa bisedave mes tij dhe At Zef Pllumit.
Aty ka qene edhe zonja Helena Kadare ! Shqipëria e klerit katolik , e burgjeve të komunizmit në vete të parë shkruesi, bartësi i memorieve dhe shkrimtari i pazakontë e i përbotshëm gjeten sintoni, forcë e dëshire për tu bashkuar në trashëgimitë e medha duke respektuar diversitetin.
Pader Zefi dhe Babazoti i “Çështje të marrëzisë” vëllezër në roman të ndarë gjatë nga hipostazat shqiptare më në fund takohen , të tillë dukeshin në bisedë. Nuk ndahej më në letërsia po i afronte subjekte bashkëkohësisë apo kjo e fundit u bë letërsi.
Mbi varrin simbolik të Fishtës në Kishën e Fretenve të Giuhadolit në Shkodër në 2007, ku Kadare shfaqej i menduar At Zefi i afrohet e i thotë me gegnishten e tij kumbuese, të cilën nuk di ta flas si ai “Nigjo Ismail unë jam i vjetër e drejt fundit, por sa të kem frymë kam me të mbeshtetë, kam me kënë në krahun tan në llogoren europiane të shqiptarëve. Qysh në kohen e Ismail Qemalit e Princ Vidit, qytetnimi europian ka pasë anmiq në Shqipni e nuk i janë da kurrë, aktivizohen si shpirtna të keqij sa herë ajo afrohet, kanë me të sulmue egersisht”! Ishte koha kur eseja “Mbi identitetin europian të shqiptarve” kishte shkaktuar dallgët e veta.
Vjet në verë e takova për të fundit herë në një darkë korriku, ishte zonja Helenë dhe Alda Bardhyli unë me familjen time. Në të shumtën e kohës fliste me time bijë Sofinë atij moti 11 vjeç dhe jo me ne të rriturit. Gjithmonë kam menduar mbi këtë takim të fundit dhe zgjedhjen e tij për të biseduar më gjatë me një fëmijë. Ai kishte gjithmonë një mesazh për të ardhmen e kështu do të mbetet shkrimtari që i flet asaj ne krye të “ Çetes së Profetenve” !
Në këtë drekë për të e pa të këto me erdhën në mend!
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co