Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe Ushtria e Serbisë kanë kryer një patrullë të sinkronizuar në dy anët e kufirit të Kosovës me Serbinë, pranë komunës së Podujevës.
“Këto përpjekje janë pjesë e misionit të përditshëm të KFOR-it për të mbështetur sigurinë afatgjatë në mbarë Kosovën dhe stabilitetin rajonal”, u tha në njoftimin e KFOR-it.
Ndërkaq, në një njoftim të ndarë, Ministria serbe e Mbrojtjes tha se është kryer një patrullë e përbashkët në zonën, që tha se është përgjegjësi e bazës ushtarake Shushnjak, afër Kurshumlisë.
“Janë ndarë informacione për situatën në terren dhe janë mbledhur të dhëna të rëndësishme për zbatimin e detyrave në të ardhmen”, u tha në njoftimin e ministrisë serbe më 26 shtator.
Serbia, që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e quan kufirin me Kosovën vijë administrative. Ministria serbe e Mbrojtjes tha po ashtu se ushtria serbe vazhdimisht bashkëpunon me KFOR-in në Zonën e Sigurisë Tokësore.
Zona e Sigurisë Tokësore mes Kosovës dhe Serbisë është prej 5 kilometrash dhe është përcaktuar në Marrëveshjen Teknike të Kumanovës.
Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet janë ndërprerë më 10 qershor 1999, me Marrëveshjen Teknike të Kumanovës, e cila parashihte tërheqjen e të gjitha forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova.
Marrëveshja është pasuar nga miratimi i Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Ndryshe, KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës që është e para dhe pas misionit të BE-së për sundim të ligjit, EULEX.
Misioni i NATO-s në Kosovë po ashtu është përgjegjës për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë. Ndërsa, pjesën tjetër të vijës kufitare e mbikëqyr Policia e Kosovës./REL
The post KFOR dhe Ushtria e Serbisë me patrullim të përbashkët në kufirin Kosovë-Serbi appeared first on Gazeta Shqiptare Online.
Burimi informacionit @Gazeta Shqiptare Online: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co