“Kemi privilegjin e madh të jetojmë në liri, paqe dhe demokraci”/ Gjermania feston sot Ditën e Bashkimit

kemi privilegjin e madh te jetojme ne liri paqe dhe demokraci gjermania feston sot diten e bashkimit
kemi privilegjin e madh te jetojme ne liri paqe dhe demokraci gjermania feston sot diten e bashkimit

3 Tetor – Gjermania feston Ditën e Bashkimit. Por megjithë dinamikën e përgjithshme pozitive edhe 35 vjet pas rënies së Murit të Berlinit mes landeve lindore e perëndimore ka ende dallime politike, ekonomike dhe sociale.

Festimet e sivjetshme për Ditën e Bashkimit Gjerman zhvillohen në Shverin (Schwerin), në kryeqytetin e landit lindor Mecklenburg-Pommerani. Kryeministrja e landit Manuela Schwesig (SPD) tha se “Ne festojmë me të gjithë Gjermaninë”.

Dita e Bashkimit Gjerman është një ditë shumë e veçantë për të gjithë tha Schwesig, duke kujtuar guximin e atyre që dolën në rrugë për demokraci dhe liri në RDGJ në vitin 1989.

“Ne kemi privilegjin e madh të jetojmë në liri, paqe dhe demokraci”. – tha ajo. Gjermania Lindore dhe ajo Perëndimore ishin të ndara për 45 vjet me radhë

Scholz skeptik për propozimin për ndalimin e AfD-së
Në kuadër të festimeve për Ditën e Bashkimit Gjerman, kancelari Olaf Scholz (SPD) iu përgjigj pyetjeve të qytetarëve gjatë një takimi me ta që zhvillohet nën moton “Dialog me qytetarët”. Scholz tha se është skeptik për propozimin për ndalimin e AfD-së, por theksoi rëndësinë e mbikqyrjes së kësaj partie nga Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës. Scholz tha gjithashtu se pretendon të jetë kandidati i SPD-së për kancelar në zgjedhjet federale të vitit 2025.

Dita e Bashkimit të Gjermanisë është shpallur edhe festë kombëtare e Gjermanisë, sepse më 3 tetor 1990 hyri në fuqi Traktati i Bashkimit me të cilin ish-RDGJ iu bashkua Republikës Federale të Gjermanisë. Që nga kjo kohë është rritur një brez i tërë që nuk ka më kujtime nga Gjermania e ndarë.

Dallime politike, ekonomike dhe sociale
Megjithatë edhe 35 vjet pas rënies së Murit të Berlinit meslandeve lindore dhe perëndimore ka ende dallime politike, ekonomike dhe sociale. Gjithsesi dinamika e përgjithshme e rritjes është pozitive. Shumica e njerëzve në lindje e vlerësojnë gjendjen e tyre ekonomike si të mirë, por nuk ndihen të kuptuar siç duhet dhe sa duhet nga politika.

Gjermanolindorët kanë më pak besim tek institucionet demokratike sesa gjermanët në Perëndim dhe në landet e reja ka më pak njerëz që janë të kënaqur me sistemin politik të Republikës Federale të Gjermanisë. Këtë e treguan edhe zgjedhjet në Tyringi, Saksoni dhe Brandenburg, në të cilat partia ekstremiste e djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) fitoi 29 deri në 33 për qind të votave, ndërsa partia Aleanca Sahra Wagenknecht (BSW) fitoi 12 deri 14 për qind të tyre.

“E lirë, e bashkuar dhe e papërfunduar”
Përfaqësuesi i qeverisë për Gjermaninë Lindore, Carsten Schneider, i cili është nga landi lindor i Tyringisë, ka analizuar së bashku me autorë të shumtë të shquar zhvillimin ekonomik dhe social të landeve lindore. Në raportin e tij për gjendjen në Lindje Schneider arrin në përfundimin se Gjermania është “e lirë, e bashkuar dhe e papërfunduar”.

Vendi ka ndryshuar shumë që nga viti 1990, përfshirë edhe ndryshimet në Perëndim, thotë Carsten Schneider. “Kështu demokracia favorizohet si modeli kryesor social si në Lindje dhe në Perëndim, por ka edhe pakënaqësi me politikat dhe me zbatimin e politikave.

Papunësia në lindje vazhdon të jetë ende më e lartë se në perëndim – por shumë të rinj që dikur u larguan për të punuar në landet perëndimore po rikthehen në landet lindore./DW

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →