Kaloi vetingun, por Kolegji i Posaçëm i Apelimit pezullon nga detyra gjyqtarin! E dërgon 1 vit në shkollë me detyrim

kaloi vetingun por kolegji i posacem i apelimit pezullon nga detyra gjyqtarin e dergon 1 vit ne shkolle me detyrim



































Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka pezulluar një vit nga detyra gjyqtarin e Vlorës, Laurent Fuçia, duke e detyruar këtë të fundit të ndjekë me detyrim Shkollën e Magjistraturës.

Laurent Fucia

Vendimi është marrë ditën e sotme nga KPA, institucion që ka rrëzuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke rikthyer në shkollë gjyqtarin e Vlorës.

“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Rezarta Schuetz relatore, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 19/2023, datë 18.05.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 632, datë 08.03.2023, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Laurent Fuçia.

Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin Ë, pika 1, të Aneksit të Kushtetutës, nenet 44, germa “b”, 60 dhe 66, pika 1, germa “b” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi:

Ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 632, datë 08.03.2023, që i përket subjektit të rivlerësimit Laurent Fuçia.

Pezullimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Laurent Fuçia për një periudhë njëvjeçare dhe detyrimin për të ndjekur programin e trajnimit, sipas kurrikulave të miratuara nga Shkolla e Magjistraturës.

Ky vendim ka efekt të menjëhershëm. U shpall në Tiranë, sot, më datë 25.07.2024”, thuhet në vendimin e KPA.

ANKIMIMI

Institucioni i Komisionerëve Publikë njoftoi më 9 maj të vitit 2023 ankimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK lidhur me konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Vlorës, Laurent Fuçia. Ankimi është kryer nga Komisioneri Florian Ballhysa, bazuar në rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM. Ballhysa i kërkon Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që të shqyrtojë shkaqet e ngritura në aspektin profesional dhe në përfundim të shkarkojë nga detyra gjyqtarin Fuçia me argumentin se ky subjekt rivlerësimi gjendet në kushtet e papërshtatshmërisë profesionale dhe në atë të cënimit të besimit të publikut te sistemi i drejtësisë.

Laurent Fuçia u konfirmua në detyrë nga KPK më 8 mars 2023, pasi u konkludua se kishte arritur nivel të besueshëm për pasurinë dhe pastërtinë e figurës, ndërsa për mangësitë në aspektin profesional u çmua se nuk mund të konsideroheshin serioze dhe as të përsëritursa në mënyrë të vazhdueshme.

Sipas Komisionit, veprimet e subjektit në gjykimin e çështjeve nuk kanë qenë të qëllimshme dhe në kundërshtim të hapur me ligjin apo me praktikat unifikuese të gjykatave më të larta. Për rrjedhojë, në vlerësimin tërësor të kriterit të vlerësimit të aftësive profesionale, në përfundim u konkludua se Fuçia është i aftë profesionalisht.

Por ONM dhe Komisioneri Publik vlerësojnë ndryshe dhe çmojnë se vlerësimi i saktë i provave të çështjes dhe zbatimi korrekt i kuadrit ligjor përkatës, do t’i japë bazë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që të rrëzojë vendimin e Komisionit. ONM kërkoi rishikim gjyqësor për të gjithë shtyllën e vlerësimit të aftësive profesionale.

“Komisioneri Publik vëren se mangësitë e konstatuara në aspektin profesional nuk mund të plotësohen nëpërmjet programit të trajnimit. Çështjet e analizuara në funksion të kriterit të vlerësimit profesional, gjetjet e të cilave lidhen me ankesa dhe kërkesa të përsëritura të palëve në proces, krijojnë kushtet e klimës së pandëshkueshmërisë në sytë e publikut të një funksionari të sistemit të drejtësisë”, shprehet Ballhysa në ankim dhe kërkon shkarkimin e Fuçisë.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →