Fanella me numrin 10, kalimi nga moshat te skuadra e parë e Juventusit dhe një projekt i bazuar shumë edhe tek ai.
Kenan Jildiz ka marrë për dore “Zonjën e Vjetër”, që e di shumë mirë se ka në organikën e saj një diamant. Momentalisht është ende i brishtë, por pritshmëritë tregojnë se do të kthehet në një lojtar të klasit botëror. Kenan Jildiz di si të vjedhë skenën, të shkëlqejë me paraqitjet e tij, por edhe me intervistat që jep. Talenti turk ka dhënë një intervistë të gjatë për FIFA-n, ku ka folur që nga fëmijëria e tij, aventura te Juventusi dhe kombëtarja, idhulli i tij Alesandro Del Piero të cilin përpiqet ta kopjojë, ambiciet për të ardhmen, si dhe familjen.
FILLIMET- “Ishte ndeshja Turqi-Gjermani me rezultatin 3- 2. Besoj se të gjithë i panë emocionet e mia në momentin që shënova golin. Nuk e mendoja kurrë se do të ndodhte diçka e tillë, sidomos në një ndeshje midis dy shteteve ku kam luajtur futboll gjithë jetën time. Ishte e jashtëzakonshme të dëgjoje festimin e tifozëve pas golit. Dukej sikur i gjithë stadiumi ishte i mbushur vetëm me tifozë turq. Më pas pasi shënova, bërtita me të madhe. Dukej si diçka jo reale. Babai im ishte aty kur unë shënova golin me Gjermaninë dhe kjo gjë thoshte shumë për mua. Mamaja ime nuk arriti dot të vinte sepse kemi një qen të vogël dhe ajo duhet të qëndronte në shtëpi, prandaj më pa përmes televizorit. Mendoj se të dy janë ndjerë shumë krenarë për mua”.
FAMILJA– “Nuk jam shumë i sigurt se si më ka nisur dëshira për futbollin. Megjithatë kur isha rreth 3 vjeç, babai ka ardhur shpesh me mua në fushë për të luajtur futboll, duke më mësuar disa gjëra. Unë përmirësohesha duke parë video në ‘YouTube’. Më pas kur luaja ndeshje, babai më thoshte gjithmonë të shikoja se çfarë bëja. Me kalimin e viteve fillova të trajnohesha me futbollistë më të mëdhenj. Nëse sot jam ky që jam, është falë babit dhe mamasë time. Mamaja më ka ndihmuar shumë jashtë fushës, sidomos në shkollë. Prindërit më kanë ndihmuar që të jem i fortë mentalisht dhe të mos dorëzohem kurrë”.
TURQIA- “Nuk e mendoja kurrë se në moshën time do të kisha mundësinë të luaja në një Kampionat Europian me Turqinë. Ishte një aventurë shumë argëtuese sepse jemi përmirësuar në gjëra të reja. Ne qëndruam bashkë për 4 ose 5 javë dhe kjo gjë na ka bashkuar më shumë. Jemi të gjithë miq dhe që kemi besim te njëri-tjetri. Ky ka qenë një motiv i rëndësishëm që ne kemi dhënë më të mirën nga vetja jonë. Mendoj se mund të bënim edhe më mirë, kishim një grup të madh”.
DEL PIERO- “Goli në stilin ‘Del Piero’ dhe festimi si ai? Mendoj se ka qenë diçka e shkruar. Kur e takova pas ndeshjes, isha shumë nervoz në debutimin tim në Ligën e Kampioneve për të thënë të vërtetën. Del Piero është një person i madh. Vazhdimisht më dërgon mesazhe dhe ne flasim me njëri-tjetrin. Është fantastik”.
NUMRI 10- “Një numër si ai që mbaj unë në shpinë ka dy krahë medaljeje. Është një numër me peshë shumë të madhe. Nga një anë është kënaqësia dhe krenaria e besimit që merr kur të japin atë numër, por nga ana tjetër duhet të shpërblesh besimin ndaj personave që ta kanë dhënë atë numër. Është bukur të luash me numrin 10 mbi shpinë sepse të jep ndjesinë sikur ke bërë diçka të madhe”, tha ndër të tjera Jildiz.
PANORAMASPORT.AL