Ardian Ismajli vazhdon të qëndrojë jashtë fushës së lojës duke humbur ndeshje të rëndësishme me fanellën e Empolit në fundin e këtij sezoni. Mbrojtësi shqiptar prej dy muajsh ka luajtur me pikatore për shkak dëmtimesh të njëpasnjëshme dhe i fundit ishte ai që pësoi në grumbullim me Kombëtaren shqiptare.
Futbollisti qëndroi në të dy ndeshjet e kuqezinjve në stol, pa u aktivizuar, por u kthye në klubin e tij dhe atje e dërguan menjëherë në tribunë, duke e cilësuar si lojtar që nuk ishte në gjendje të jepte kontribut dhe duhej të kishte më shumë kujdes me dëmtimet.![]()
Vetë trajneri Roberto D’Aversa, ka folur rreth situatës së mbrojtësit shqiptar pas humbjes 0-3 në Kupën e Italisë përballë Bolonjës, ku Ismajli ishe në tribunë, pasi u ngacmua nga gazetarët rreth tij.
“Për këtë pyetje nuk do të dija si t’i përgjigjesha, ai problemin e parë e kishte më 2 shkurt. Përgjigjet duhet t’i japë mjeku, ai ka pasur problematika me rikthimin, është kthyer i dëmtuar nga Kombëtarja. E kam të vështirë ta shpjegoj pasi nuk është kompetenca ime, është një lojtar i rëndësishëm që na mungon por duhet të arsyetojmë në të tashmen pa menduar për mungesat. Nuk më takon mua të gjykoj menaxhimin që kishte në Kombëtare”, tha trajneri i Empolit.
PANORAMASPORT.AL