Ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea, ka komentuar situatën politike dhe raportet aktuale mes Kosovës e Bashkimit Europian, ndërkohë që kryeministri Albin Kurti ishte në Bruksel këtë javë.
Ai tha se Kurti ndoqi këshillën e BE-së për të mos e hapur Urën e Ibrit për qarkullim të makinave.
“Kryeministri Kurti është në Bruksel këtë javë që sigurisht mund të lobojë që masat e BE-së të hiqen. Ai ka ndjekur këshillën e BE-së për të mos rihapur urën e Mitrovicës për trafik. Por lidershipi i ri i BE-së nuk ka marrë ende detyrën pas zgjedhjeve të Parlamentit të BE-së qershorin e kaluar. Komisioni i ri u emërua”, tha Shea në një intervistë për RTKlive
Shea u shpreh tutje se masat ndëshkuese ndaj Kosovës mund të hiqen këtë vjeshtë, duke e lidhur edhe me rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.
“Dialogu Beograd-Prishtinë duhet të rifillojë së shpejti. Kështu që pres që masat e BE-së kundër Kosovës të hiqen më vonë këtë vjeshtë me kusht që të ketë një periudhë qetësie në veri dhe që Prishtina të bëjë përpjekje për të riintegruar serbët në polici, gjyqësor dhe administratën lokale. Vuçiç ka bërë thirrje që kjo të ndodhë dhe do të jetë një provë për të që të punojë në mënyrë konstruktive për të ndihmuar në zbatimin e saj”, tha Shea.