Masimo Morati kthehet në krye të Interit? Një hipotezë që i bën tifozët zikaltër të ëndërrojnë dhe që ish-presidentit, pavarësisht se i pranon të gjitha vështirësitë, nuk i pëlqen ta përjashtojë. A do ta shohim sërish Moratin tek Interi?. Përgjigjen e ka dhënë vetë ish-presidenti që në një intervistë për të përjavshmen “Oggi” ka deklaruar:
“Nuk e shoh të lehtë. Por nuk e përjashtoj. Gruaja ime më pyet çdo natë nëse e kam blerë Interin përsëri. Dhe gjithmonë duhet të gjej një justifikim të ri për të justifikuar veten. Megjithatë, diçka e tillë nuk ka gjasa të ndodhë në modalitet afatshkurtër. Blerja e Interit është një angazhim i madh. Djemtë tanë Mao dhe Xhovani janë tifozë të çmendur. Dhe gjithashtu Karlota, e cila udhëton nëpër botë si presidente e “Inter Campus”. Për familjen tonë është ende një eksperiencë shumë e freskë por e dini se kur isha i ri as që e mendoja të bëhesha president i Interit, më pas ndryshova mendje. Dhe kështu, në të ardhmen kush e di çfarë do të ndodhë. Do të shohim”.
BRENDA KLUBIT – Në të njëjtën intervistë, presidenti më i suksesshëm në historinë zikaltër (16 trofe) e ftoh pak entuziazmin e kuptueshëm të ekipit të tij të zemrës, pasi s’është mister që blerja e Interit dhe mbajtja e tij lart kushton shumë. “Një sipërmarrës i vetëm s’mund ta bëjë një blerje të tillë në ditët e sotme. Të gjithë e dimë se sa kushton të blesh një klub kaq të madh sa Interi e të përballosh shpenzimet në çdo sezon. Edhe Reali i Madridit është plot borxhe. Të qenurit presidenti-tifoz është më e vështirë sot. Por mund të jetë pjesë në klubin e zemrës me kosto më të ulët”, vijoi Morati. Në fund, ai ka folur edhe për pronarët e rinj.
Fondi “Oaktree” ia mori Interin familjes Zhang, megjithatë për 79-vjeçarin, amerikanët meritojnë besim. “Në njohuritë e mia, ‘Oaktree’ është shumë solid. Por ne duhet të shohim qëllimet e tij. Borxhi është aq i madh sa nuk mendoj se mund ta lënë kështu. Dhe ne kemi parë që të fitosh duke mbajtur llogaritë të balancuara është e pamundur”, përfundoi Morati. Ai është presidenti më fitues në historinë e zikaltërve me 16 trofe, ku kulmoi me Tripletën e famshme në vitin 2010. Morati vuajti krizën financiare në këtë periudhë dhe u detyrua të largohej nga Interi.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co