Simone Inzagi përzien sërish kartat. Numri një i zikaltërve do të bëjë sërish rrotacion për ndeshjen e mbrëmjes së sotme në “San Siro” kundër Monzës.
Pak prej emergjencës së dëmtimeve dhe pak për menaxhimin e të gjithë skuadrës. Në krahasim me sfidën e së mërkurës në Champions mund të ketë të paktën 3 ndryshime.
SHANS PËR KORREAN- Nga indikacionet e para në “Appiano”, duket se do të rikthehet mesfusha titullare. Barela do të konfirmohet nga minuta e parë me Çalhanoglunë dhe Mkitarianin. Turku dhe Armeni kanë punuar (Hakan u aktivizua pak) në mbrëmjen e Champions-it.
Të dy janë dukur si pa “frymë” në ndeshjet e fundit. Çalha u largua nga sfida me Napolin i dëmtuar dhe armeni e ka humbur shkëlqimin. Megjithatë janë lojtarë të rëndësishëm për skemën dhe filozofinë e Inzagiit. Zëvendësimi i tretë ka të bëjë me repartin sulmues. Kundër Monzës, Lautaro Martinez mund të ulet në pankinë për t’i lënë hapësirën Korreas. Nuk përjashtohet edhe Turam në pankinë për të aktivizuar Arnautoviçin. Megjithatë, duket e vështirë që Inzagi të privohet totalisht nga dyshja sulmuese.
FORMACIONI- Sa u përket të tjerëve, nuk priten shumë surpriza. Në portë ka një balotazh, sepse Zomer është rikuperuar. Martinez ka dhënë garanci në javët e fundit dhe ndoshta mund të vazhdojë të jetë ai në portë. Përpara spanjollit do të jetë treshja e Roterdamit, me Pavar, De Vraj dhe Açerbin. Dumfris në të djathtë dhe Bastoni në të majtë.
Augusto është rikuperuar, por do të jetë në pankinë. Zikaltrit do të kërkojnë sot në mbrëmje që të ruajnë vendin e parë në klasifikim dhe t’i japin një sinjal Napolit se ata janë skuadra për t’u mundur edhe në këtë kampionat. Monza vjen e etur për pikë, edhe pse e di shumë mirë që transferta e “San Siros” do të jetë shumë delikate dhe e vështirë. Nesta kërkon që të dalë me pikë, edhe pse zikaltrit kanë një moment të mirë dhe duan që ta shfrytëzojnë optimizmin për të hedhur baza të shëndosha dhe të rëndësishme si në kampionat, ashtu edhe në kompeticionet e tjera. Kalendari është torturues, por Inzagi nuk dorëzohet.
PANORAMASPORT.AL