Kupa e Italisë në këtë moment të sezonit duket si një peshë mbi shpatulla dhe sigurisht që Interi po mendon seriozisht që edhe mund ta sakrifikojë këtë trofe për të qenë në maksimum në dy të tjerët.
Ditën e sotme në “San Siro” do të vijë Lacio për të luajtur fazën e çerekfinaleve të Kupës dhe trajneri Simone Inzagi ka ndërmend që të bëjë një rrotacion masiv në mënyrë që të ketë titullarët sa më të freskët për duelin vendimtar e ditës së shtunë kundër Napolit në Serinë A.
ZALEVSKI- Megjithatë Nikola Zalevski duket se i ka prishur disi planet e trajnerit kampion të Italisë që kishte menduar ta zbriste kroatin si titullar në krahun e majtë. Polaku ka pësuar një dëmtim ditën e djeshme dhe kjo bën që njëri prej titullarëve të skuadrës të luajë nga fillimi. Ndoshta mund të jetë Dimarko ose spostimi i Darmianit në të majtë për të luajtur me Dumfrisin nga minuta e parë. Kjo është një nga dilemat e trajnerit. Zalevski me shumë mundësi nuk do të rikthehet as për duelin kundër Napolit. Karlos Augusto vazhdon të mos jetë ende në 100% të formës dhe kjo bën që të kërkohet një sforco nga të tjerët.
RROTACION- Në portë do të jetë Jozef Martinez, i cili bëri debutimin në fundjavë në kampionat kundër Xhenoas dhe e mbajti portën të paprekur. Bëhet fjalë për sfidën e tij të dytë në Kupën e Italisë, pasi luajti edhe ndaj Udinezes. Në mbrojtje Pavar mund të jetë titullar, ndërsa De Vraj do të zëvendësojë Açerbin. Ky i fundit ka nevojë për pak pushimi për t’u përgatitur në maksimum për duelin me Lukakun. Edhe Bastoni nuk do të jetë nga fillimi dhe në vendin e tij pritet Bisek. Nga krahët Dumfris dhe Darmian. Në mesfushë do të konfirmohet edhe një herë tjetër nga minuta e parë Kristjan Asllani, ndërsa Zielinski do të marrë vendin e Barelës. Fratezi nuk është ende në formë optimale. Nuk ka pushim për Mkitarianin, i cili mund të ndajë minutat me Çalhanoglunë ose Barelën. Ndërkohë që në sulm pritet dyshja Marko Arnautoviç dhe Taremi. Lautaro ka dëshirë që të luajë gjithmonë, por trajneri kërkon që ta mbrojë në maksimum nga dëmtimet në këtë periudhë të vështirë të sezonit. Turam gjithashtu nuk është gati dhe do të ruhet për sfidën kundër Napolit.PANORAMASPORT.AL