Besa do të jetë ekipi që do mbyllë javën e dytë të Kategorisë së Parë, ku sot, ora 17:00, do të presë Korabin në stadiumin e Rrogozhinës. Ekipi dibran, të paktën sezonin e shkuar, u hapi punë verdhezinjve, por duket se tashmë nuk gjen më atë Besë me djem të rinj, por “ujqër” me plot përvojë.
Për Mirel Josën, trajnerin kryeqytetas të skuadrës kavajase, Korabi mbetet ndër ekipet eksperte të Kategorisë së Parë.
“Besoj e keni konstatuar se në sezonet e fundit, dibranët ishin ndër ekipet kryesuese dhe synonin elitën. Janë një grup që kanë vite që luajnë bashkë dhe janë ekspertë të së Parës. Vetëm duke i vlerësuar e kundërvënë ‘arsenalin’ tonë fizik e teknik mund të kemi sukses”, u shpreh fillimisht për “Panorama Sport” trajneri Josa.
Natyrisht, loja në një fushë si ajo e Egnatias, i shkon përshtat verdhezinjve, që në përbërje kanë shumë futbollistë teknikë. Këtë e pohon edhe trajneri Josa, por shton se janë futbollistët baza e çdo suksesi, ndërsa fusha faktor ndihmës.
“Ndihem mirë që kjo përballje do të jetë në një stadium si ‘Arena Egnatia’, në kushte komode. Një fushë ku futbollistët mund të shprehin më mirë vlerat e tyre. Sigurisht që Besa, jo vetëm kundër Korabit, por kudo ku do të luajë këtë sezon do të futet në fushë vetëm për fitore.
Ua kam bërë të qartë lojtarëve, se çdo rival ka peshën e tij dhe në fund çdo ndeshje vlen 3 pikë. Nuk do të kemi asnjë mungesë dhe asnjë të dëmtuar. Do të kemi të gjithë kontingjentin e futbollistëve dhe kjo më jep shumë besim se fitorja do të flasë për ne”, përfundoi trajneri i Besës, Mirel Josa.
FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co