
Markus Turam është një nga armët shtesë të Interit për titullin kampion në duelin vendimtar me Napolin. “DAZN” e intervistoi sulmuesin francez pas humbjes me Juventusin dhe ditën e djeshme ka publikuar një pjesë të saj.
“Ndeshja me Napolin nuk është edhe aq vendimtare. Ka shumë ndeshje në lojë, por sigurisht që është e bukur mes ekipit të parë dhe të dytë në klasifikim. Do të jetë ndeshje interesante”, tha fillimisht francezi. Ai foli gjithashtu për shifrat e tij.
“Është e vërtetë që kam barazuar numrin e golave në sezonit të kaluar, por e rëndësishme është që të fitojë skuadra. Golat e mi i shërbejnë ekipit. Nuk e di çfarë mendimi ka Lautaro për mua, por besoj se është i lumtur.
Unë nuk ndihem një lojtar ndryshe, por thjesht dua që të bëj atë që kam bërë vitin e kaluar kur fituam titullin kampion. Trajneri dhe shokët e skuadrës po më ndihmojnë që të rritem që nga dita e parë. Goli më emocionues ka qenë kundër Milanit në vitin e kaluar”, tha francezi. A është titulli kampion gjithmonë në mendjen tuaj? “Po. Është një mendim që na shoqëron gjithmonë, në sensin që më motivon për të punuar dhe për të fituar ndeshjet. Është diçka që dua ta jetoj sërish me Interin”, përfundoi Turam.
PANORAMASPORT.AL