Babai i foshnjës 5 ditëshe që humbi jetën në spitalin e Vlorës më 4 Tetor ka rrëfyer momentet e fundit të jetës së djalit të tij të porsalindur.
Ai ka rrëfyer se i biri ka qëndruar katër ditë në spital për shkak se i kishin dalë puçrra në trup dhe merrte mjekim.
Ditën e pestë, foshnjën do e nxirrnin nga spitali, tregon babai, madje mjekët kishin lëshuar edhe fletë-dalje.
Por, vogëlushi ka humbur jetën. Neritan Halilaj u shpreh se e ka lajmëruar bashkëshortja, e cila ka parë djalin e pajetë rrethuar nga doktorët.
Ai u shpreh se ka shkuar në spital teksa kur ka parë djalin pajetë i ka rënë të fikët. Kur është përmendur, Neritan Halilaj thotë se ka nisur të kërkojë shpjegime, por askush s’i ka thënë asgjë.
Sipas tij, fajtore për vdekjen e të birit është mjekja që i ka dhënë mjekim të gabuar ose antibiotikë.
Babai i fëmijës që humbi jetën u shpreh se ka denoncuar mjeken në polici dhe në gjykatë.
“Ia kam lënë drejtësisë çështjen në dorë ta zgjidhi, në rast të kundërt do ta zgjidh vetë”, tha ai, duke shtuar se shpresat i ka të pakta.
Fëmija që humbi jetën ishte fëmija i dytë i familjes Halilaj. Neritani është babai i një vajze 5 vjeçe, tek e cila gjejnë forcën për të jetuar dhe vazhduar betejën, siç tregon edhe vetë, me çdo kusht.
Ndërkohë policia raportoi se ka nisur hetimet për mjeken, ndërsa materialet i kanë kaluar Prokurorisë. Doktoresha 53 vjeçare me inicialet I. C., akuzohet për “mjekim të pakujdesshëmn”.
“Komisariati i Policisë Vlorë referoi materialet në Prokurori dhe nisi procedimin penal për shtetasen I. C., 53 vjeçe, banuese në Vlorë, me profesion mjeke neonatologe në Maternitetin e Spitalit Rajonal Vlorë, e dyshuar për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm”, pasi më datë 04.10.2024, në këtë maternitet ka ndërruar jetë një foshnjë 5-ditësh, i lindur nga shtetasja S. H. Vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të shkakut të vdekjes së foshnjës dhe për përcaktimin e përgjegjësive ligjore”, njoftoi policia.