Hyn në fuqi udhëzimi, ja datat për provimet kombëtare të arsimit bazë! Si do të bëhet vlerësimi

hyn ne fuqi udhezimi ja datat per provimet kombetare te arsimit baze si do te behet vleresimi



































VOLTIZA DURO/ Në muajin gusht do të zhvillohen provimet kombëtare të arsimit bazë (sesioni i dytë) për vitin shkollor 2023-2024 përkatësisht në lëndët Gjuhë Shqipe, Matematikë, Gjuhë e huaj dhe Gjuhë Amtare, kjo e fundit për nxënësit e pakicave kombëtare.

provim

Udhëzimi ka hyrë në fuqi ditën e djeshme dhe mban firmën e zëvendësministrit të Arsimit dhe Sportit, Nina Guga. “UDHËZIM Nr. 14, datë 18.7.2024 PëR ORGANIZIMIN DHE ZHVILLIMIN E PROVIMEVE KOMBËTARE TË ARSIMIT BAZË NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË, VITI SHKOLLOR 2023–2024 (SESIONI I DYTË). Në mbështetje të pikës 4, të nenit 102 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; të nenit 26 dhe pikës 3, të nenit 50, të ligjit nr. 69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe të urdhrit nr. 565, datë 5.10.2023, “Për delegimin e kompetencave dhe caktimin e detyrave të zëvendësministrit të Arsimit dhe Sportit, znj. Nina Guga”, të ndryshuar, UDHËZOJ: Provimet kombëtare të arsimit bazë, për vitin shkollor 2023–2024 (sesioni i dytë), të zhvillohen në datat si më poshtë: a) Lënda “Gjuhë shqipe”, më 20 gusht 2024; b) Lënda “Matematikë”, më 26 gusht 2024; c) Lënda “Gjuhë e huaj” e parë, më 30 gusht 2024; d) Lënda “Gjuhë amtare”, për nxënësit e pakicave kombëtare, më 21 gusht 2024″, – theksohet në udhëzim. Më tej, në këtë të fundit bëhet me dije se nxënësit e pakicave kombëtare vlerësohen në lëndët: “Gjuhë amtare”, “Gjuhë shqipe”, “Matematikë” dhe sipas dëshirës edhe në një gjuhë të huaj.

VLERËSIMI I TESTIT

Në udhëzimin që ka hyrë dje në fuqi bëhet me dije se procedurat e hartimit dhe vlerësimit të testeve përcaktohen në rregulloren për zhvillimin e provimeve kombëtare të arsimit bazë në Republikën e Shqipërisë, miratuar me urdhrin nr. 74, datë 15.2.2024, të ministrit të Arsimit dhe Sportit, “Për miratimin e rregullores për zhvillimin e provimeve kombëtare të arsimit bazë, në Republikën e Shqipërisë”. “Gjuhët e huaja që do të jepen si provim i detyruar janë: “Anglisht”, “Frëngjisht”, “Italisht” dhe “Gjermanisht”. Testi i gjuhës së huaj të parë hartohet në përputhje me gjuhën e cila, në planin mësimor të arsimit të mesëm të ulët, trajtohet si gjuhë e huaj e detyruar në nivelin gjuhësor A2. Nxënësit e klasave të 9-ta të shkollave mbështetëse të seksioneve dygjuhëshe franceze, italiane dhe gjermane japin provim gjuhën përkatëse të seksionit në nivelin gjuhësor A2. Çdo provim kombëtar i arsimit bazë fillon në orën 10:00 dhe zgjat 2 orë e 30 minuta”, – citohet në udhëzim.

Nxënësit me aftësi të kufizuara që ndjekin shkollat e zakonshme, i zhvillojnë provimet kombëtare të arsimit bazë, sipas përcaktimeve në rregulloren për zhvillimin e PKAB-së. Drejtuesi i Institutit të nxënësve që nuk shikojnë “Ramazan Kabashi” e tërheq testin në Qendrën e Shërbimeve Arsimore (QShA), një ditë para zhvillimit të provimit dhe e kthen atë në sistemin e shkrimit Brail. Çdo zyrë vendore e arsimit parauniversitar merr nga qendrat e vlerësimit të testeve dhe ruan të dhënat e çdo nxënësi, të vlerësuesve të testeve dhe të mjediseve ku janë realizuar provimet kombëtare të arsimit bazë. Këto të dhëna dërgohen nëpërmjet drejtorive rajonale të arsimit parauniversitar në Agjencinë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar dhe në QShA.

“Ngarkohen për zbatimin e këtij udhëzimi sekretari i përgjithshëm, Drejtoria e Përgjithshme e Zhvillimit të Arsimit Parauniversitar, Qendra e Shërbimeve Arsimore, Agjencia për Sigurimin e Cilësisë së Arsimit Parauniversitar, Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar, drejtoritë rajonale të arsimit parauniversitar, zyrat vendore të arsimit parauniversitar dhe institucionet arsimore parauniversitare. Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare”, – përfundohet në udhëzim.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →