
Vinicius Zhunior nuk do ta harrojë kurrë ndeshjen gjysmëfinale në Kupën e Mbretit kundër Sociedadit në San Sebastian. Në ndeshjen e 26 shkurtit, braziliani mbajti për herë të parë shiritin e kapitenit të Realit, në moshën 24-vjeçare. Pas mbërritjes në kryeqytetin spanjoll në vitin 2018, anësori ka luajtur 298 ndeshje për Madridin, duke fituar disa trofe, përfshirë dy Liga të Kampionëve.
“Është diçka shumë e veçantë të jem në gjendje të luaj këtu për kaq gjatë dhe në moshën 24- vjeçare të luaj ndeshjen time të parë si kapiten. Është shumë e veçantë për mua dhe familjen time, pas gjithçkaje që kemi kaluar për të arritur këtu”, shpjegoi ai në “Realmadrid TV”.
Në moshën 24-vjeçare, Vinicius bëhet një nga të paktët lojtarë të Realit që mban shiritin e “Los Blancos” në një moshë të re. Që nga e mërkura e 26 shkurtit ai është futur në një listë të përzgjedhur kapitenësh të Realit. Këto janë disa nga rastet e lojtarëve që e kanë fituar shiritin në moshë të re.
HOSE MARIA KASTEL – Ai fitoi kapitenin e parë të Real Madridit në vitin 1914, vetëm në moshën 18-vjeçare. Deri atëherë, asnjë lojtar kaq i ri nuk kishte qenë kapiten. Ai doli në pension për t’iu përkushtuar profesionit të tij si arkitekt.
HOSE GIRALT – I njohur më mirë si “Patache”. Ai ishte një sulmues i ardhur nga Kuba, që mori detyrën si kapiten në vitin 1902, kur ishte 19 vjeç. Ai luajti përkrah vëllezërve të tij Mario dhe Armando. Ai arriti të fitojë Kupën e Mbretit në dy raste me fanellën e Realit.
FEDERIKO REVUELTO – Edhe ky si Giralt ishte një sulmues nga Guatemala që u bë i huaji i dytë kapiten i parë i Realit Madridit, pas Hose Giralt. Ai e mbajti shiritin e kapitenit midis viteve 1903 dhe 1904, kur ishte 20 vjeç. Ai fitoi Kupën e Mbretit të vitit 1908 me një gol të tijin.
SANTIAGO BERNABEU – Legjenda e Realit ishte një lojtar për klubin e bardhë përpara se të shërbente si president. Në vitin 1916, në moshën 21-vjeçare, ai e veshi për herë të parë byzylykun. Kështu bëri deri në vitin 1920, kur iu desh të largohej për në Oviedo për arsye pune.
PARAKET ESKOBAL – Ishte nga La Rioja (nga zonat më të njohura në Spanjë për prodhimin e verës) dhe luajti si qendërmbrojtës së bashku me Kesada, duke formuar një nga dyshet më të mira të kohës. Ai ishte kreu i “Los Blancos” që nga viti 1924, kur ishte vetëm 21 vjeç. Ai ishte pjesë e ekspeditës spanjolle në Lojërat Olimpike të Parisit.
RAUL GONZALEZ – Rasti i Raulit është i veçantë. Me kalimin e viteve dhe evoluimin e futbollit, kapitenët u bënë lojtarë gjithnjë e më me përvojë. Megjithatë, ish-numri ‘7’ i bardhë u emërua kapiten vetëm në moshën 26-vjeçare. Pas gjysmëfinales së Kupës së Mbretit, Vinicius tashmë i është bashkuar një klubi të veçantë të kapitenëve më të rinj të Realit të Madridit.
PANORAMASPORT.AL