Hezbollahu e sulmon Izraelin në njëvjetorin e luftës në Gazë, plagosen dhjetë persona

hezbollahu e sulmon izraelin ne njevjetorin e luftes ne gaze plagosen dhjete persona
hezbollahu e sulmon izraelin ne njevjetorin e luftes ne gaze plagosen dhjete persona

Hezbollahu e sulmoi me raketa qytetin e tretë më të madh të Izraelit, Haifa, tha policia izraelite të hënën. Ndërkohë, mediat izraelite raportuan se 10 njerëz u plagosën në veri të vendit nga sulmet në përvjetorin e parë të luftës në Rripin e Gazës, e cila është përhapur në Lindjen e Mesme.

Hezbollahu, një aleati Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, i cili po e lufton Izraelin në Gazë – tha se e sulmoi një bazë ushtarake në jug të Haifës me një breshëri raketash “Fadi 1”.

Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja, ndërsa BE-ja e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.

Mediat izraelite thanë se dy raketa ranë në bregdetin mesdhetar të Haifës, ndërsa pesë të tjera goditën Tiberiasin, rreth 65 kilometra larg.

Policia tha se disa ndërtesa dhe prona janë dëmtuar dhe se u raportua për disa të plagosur lehtë.

Ushtria izraelite tha se avionët e saj luftarakë goditën objektiva që i përkisnin Selisë së Inteligjencës së Hezbollahut në Bejrut, përfshirë mjete për grumbullimin e informatave, qendra komanduese dhe infrastruktura të tjera.

Ushtria izraelite tha se në orët e fundit i bombardoi depot e armëve të Hezbollahut në zonën e Bejrutit.

Sulmet ajrore goditën gjithashtu objektiva të Hezbollahut në Libanin e Jugut dhe zonën e Bekës, tha ushtria.

Izraeli e fajësoi Hezbollahun se qëllimisht i ka vendosur qendrat e komandës dhe ka fshehur armatimin nën ndërtesat e banimit në zemër të Bejrutit, duke rrezikuar popullsinë civile.
Të hënën, izraelitët shënuan përvjetorin e parë të sulmit vdekjeprurës që Hamasi e kreu në jug të Izraelit. Ai sulm shkaktoi një luftë e cila ka nxitur protesta në mbarë botën dhe rrezikon të ndezë një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Ceremonitë dhe protestat në Jerusalem dhe në jug të Izraelit u planifikuan të fillonin rreth orës 6:29 të mëngjesit, në momentin kur militantët e udhëhequr nga Hamasi nisën raketa drejt Izraelit në fillim të sulmit të 7 tetorit të vitit të kaluar.

Militantët i vranë afro 1.200 njerëz dhe i rrëmbyer rreth 250 pengje, sipas autoriteteve izraelite.

Izraeli u përgjigj duke nisur sulme ajrore dhe tokësore në Gazë, të cilat e kanë bërë rrafsh me tokën shumicën e kësaj enklave dhe kanë vrarë mbi 42.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, e cila udhëhiqet nga Hamasi.
Forcat e sigurisë janë në gatishmëri të lartë në gjithë Izraelin të hënën, thanë ushtria dhe policia, duke parashikuar sulme të mundshme palestineze të planifikuara për përvjetorin e 7 tetorit 2023, kur filloi përgjakja më e rëndë në konfliktin dekada të vjetër izraelito-palestinez.

Për Izraelin, sulmi i befasishëm nga grupi militant palestinez, gjithashtu një aleat i Iranit, ishte një nga dështimet më të mëdha të sigurisë për një vend që krenohet me një ushtri të fortë dhe të sofistikuar.

Sulmi i Hamasit ndaj komuniteteve izraelite matanë kufirit të Gazës dhe fushata e pamëshirshme e Izraelit si pasojë, e kanë destabilizuar Lindjen e Mesme, ndërsa shkalla e vrasjeve dhe shkatërrimeve ka tmerruar njerëzit në mbarë botën.

Izraeli i ka goditur rëndë Hamasin dhe Hezbollahun duke ua vrarë një numër të madh të liderëve dhe komandantëve të tyre, pjesë e “Boshtit të Rezistencës” të Iranit, që përfshin gjithashtu Houthit e Jemenit dhe grupe të armatosura në Irak që luftojnë kundër interesave të Izraelit dhe SHBA-së në Lindjen e Mesme.

Fokusi i luftës është zhvendosur gjithnjë e më shumë në veri të Libanit, ku forcat izraelite kanë shkëmbyer zjarr me Hezbollahun prej se grupi i mbështetur nga Irani nisi një breshëri raketash drejt Izraelit në mbështetje të Hamasit më 8 tetor.
Ato që filluan si shkëmbime të kufizuara të përditshme zjarri, janë përshkallëzuar në bombardime të fortifikatës së Hezbollahut në Bejrut dhe një ofensivë tokësore në fshatrat kufitare, me qëllim çrrënjosjen e luftëtarëve të tij dhe kthimin e dhjetëra mijëra izraelitëve të evakuuar nga shtëpitë e tyre në veri të vendit.

Sulmet izraelite kanë vrarë mbi 1.000 njerëz gjatë dy javëve të fundit dhe kanë detyruar mbi 1 milion njerëz të zhvendosen nga Libani.

Përshkallëzimi ka rritur frikën se Shtetet e Bashkuara dhe Irani do të përfshihen në një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Irani nisi një sulm me raketa ndaj Izraelit javën e kaluar, si hakmarrje ndaj luftës së tij në Liban dhe Gazë, ku militantët e Hezbollahut dhe Hamasit janë aleatë të Teheranit në të ashtuquajturin Bosht i Rezistencës.

Izraeli, i cili thotë se qëllimi i tij është kthimi i sigurt i dhjetëra mijëra qytetarëve në shtëpitë e tyre në veri të vendit, premtoi hakmarrje mes frikës se tensionet do të përshkallëzoheshin në një konflikt të përgjithshëm rajonal./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →