Goleada e Arsenalit, “Topçinjtë” thyen 6 rekorde në Champions

goleada e arsenalit topcinjte thyen 6 rekorde ne champions
goleada e arsenalit topcinjte thyen 6 rekorde ne champions

Arsenali theu gjashtë rekorde, ndërsa prodhoi një ndeshje historike kundër PSV-së së martën. Skuadra e Mikel Artetës fitoi 7-1 ndaj gjigantëve holandezë në Eindhoven, në ndeshjen e parë të 1/8-ave të Ligës së Kampioneve.



Kapiteni Martin Odegard shënoi një dopietë, ndërsa rrjetën e gjetën edhe Jurrien Timber, Etan Nuaneri, Mikel Merino, Leandro Trosard dhe Rikardo Kalafiori. Anglezët janë me një këmbë në çerekfinale dhe në “Emirates”, javën e ardhshme, duhet vetëm të mos bëjnë ndonjë “vetëvrasje” dhe më pas do të përballen me një mes Realit të Madridit ose Atletikos.

Rezultati i madh që regjistruan londinezët, bëri që ata të thyenin disa rekorde. Ata u bënë skuadra e parë në histori që shënon shtatë gola jashtë fushe në një ndeshje të vetme me eliminim direkt në Champions. Ata u bënë gjithashtu edhe skuadra e parë që kishte gjashtë golashënues të ndryshëm në një ndeshje jashtë fushe me eliminim në Ligën e Kampioneve.

Arsenali është tani skuadra që shënon më shpejtë pesë gola në transfertë në Champions, me golin e 5-1 të Trosardit, i cili erdhi në minutën e 48- të. Por rezultati 7-1, bëri që Arsenali të regjistronte fitoren e pestë radhazi në Ligën e Kampioneve gjatë të njëjtit sezon dhe një gjë të tillë “Topçinjtë” nuk e bënin që prej kohës së Arsen Vengerit (2005- 06).

Përpara se të mposhtnin PSVnë, anglezët kishin mundur Gironën, Dinamon e Zagrebit, Monakonë dhe Sportingun e Lisbonës. Dhe tani ata do të kërkojnë që ta thellojnë këtë rekord kur të presin holandezët në “Emirates”. Në fund, goli i Nuanerit e pa atë që të bëhej shënuesi i tretë më i ri i historisë në fazën me eliminim të Ligës së Kampioneve: 17 vjeç e 384 ditë. Rekordi u vendos nga Bojan Kërkiç, kur ai shënoi për Barcelonën në vitin 2008 dhe ishte 17 vjeç e 217 ditë. Dhe Nuaneri renditet edhe pas Xhud Bellingamit, i cili shënoi për Borusian e Dortmundit në vitin 2021, 17 vjeç e 289 ditë. Talenti i Artetës u asistua për golin e tij nga Majls Ljuis-Skeli dhe kjo do të thotë se dy adoleshentë anglezë kombinuan për herë të parë për një gol në historinë e Ligës së Kampioneve.

PANORAMASPORT.AL

dsaadmin

Learn More →