Berat Gjimshiti është gati për ndeshjen e kësaj të mërkure në Ligën e Kampioneve, ku Atalanta do të luajë në transfertë ndaj Barcelonës. Një fitore do të mbante Atalantën mes 8 skuadrave të para, duke konfirmuar rritjen e jashtëzakonshme të bergamaskëve në këto vite.
Mbrojtësi shqiptar ka theksuar në konferencën për mediat se është i ndërgjegjshëm se sa e vështirë do të jetë ndaj sulmit katalanas, por ka përsëritur se bergamaskët gjithashtu ishin në gjendje të dhuronin një futboll cilësor ofensiv.
“Fryma do të jetë gjithmonë e njëjtë, si të luajmë kundër Komos apo Barcelonës. Kemi bërë një ecuri të mirë në këtë Ligë Kampionesh, do të jetë ndeshja e fundit e këtij grupi, ne jemi gati dhe duam të tregojmë se Atalanta meriton të jetë aty ku është.
Sulmi i Barcelonës? Ne të gjithë e dimë cilësinë e Barcelonës, ata kanë shënuar shumë gola kohët e fundit, me lojtarë sulmues të një cilësie shumë të lartë. Nuk janë vetëm mbrojtësit, ne mbrohemi dhe sulmojmë si ekip, do të përpiqemi të ndihmojmë njëri-tjetrin. Edhe ne nuk jemi keq me shifrat në fazën sulmuese. Do të jetë e vështirë, por jo e pamundur.
Larg “Camp Nou”? Ky stadium këtu nuk është i keq, të luash në “Camp Nou” do të ishte mirë. Ne nuk luajtëm as në “Bernabeu” kundër Realit. Ajo që ka rëndësi është fusha.
Janë 3 mijë tifozë të Atalantës? Është bukur të dëgjosh që kaq shumë njerëz vijnë nga Bergamo, është krenari të dëgjosh që kaq shumë tifozë po vijnë në Barcelonë. Në muajt e fundit, le të themi vitet, kemi pasur gjithmonë mbështetjen e tifozëve dhe njerëzit e Bergamos, kjo na jep një shtysë shtesë, duke u munduar t’i japim emocione.
Siç thashë më parë, ne sulmojmë me njëmbëdhjetë dhe mbrohemi me njëmbëdhjetë. Po hoqe portierin, me një më pak, por është çështje ekipore dhe jo individuale. Ne dimë t’i bëjmë mirë të dyja fazat e lojës”, tha Gjimshiti para gazetarëve.
PANORAMASPORT.AL