Gjermania tha më 5 korrik se në Ukrainë tashmë është dërguar edhe një sistem i mbrojtjes ajrore, Patriot, teksa Kievi po vazhdon të përballet me pushtimin e nisur nga Rusia, shkruan Rel.
“Sistemi tretë Patriot nga Gjermania tashmë ka arritur në Ukrainë”, tha ambasadori gjerman në Ukrainë, Martin Jaeger, përmes një postimi në X.
Në prill, Berlini kishte njoftuar se do t’i jepte Kievit këto lloje të sistemeve të mbrojtjes ajrore.
Ukraina po i bën thirrje mbështetësve të saj perëndimorë që t’i dërgojnë më shumë mbrojtje ajrore, veçmas sisteme Patriot, të prodhimit amerikan. Ky sistem është i aftë të rrëzojë raketa hipersonike të Rusisë.
Më shumë se dy vjet që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, Moska po vazhdon të sulmojë sistemin energjetik të Kievit, duke detyruar Ukrainën që të aplikojë reduktime të energjisë elektrike.
Përveç sistemit Patriot, Berlini i ka dhënë Kievit edhe armë të tjera, duke nisur nga artileria e deri tek autoblindat. Pavarësisht se Gjermania i ka dhënë ndihmë ushtarake Ukrainës në vlerë prej miliarda eurosh, kancelari gjerman, Olaf Scholz, është përballur me kritika muajve të fundit për shkak se nuk po lejon dërgimin e raketave me rreze të gjatë veprimi të llojit, Taurus.
Gjermania ka shprehur frikën se këto raketa mund të përdoren për të shënjestruar caqe thellë brenda Rusisë.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co