Konsultimet joformale për draft-rezolutën që shpall 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë do të mbahen më 17 prill në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, u tha në ueb-faqen zyrtare të kësaj organizate.
Takimi është thirrur nga misionet e përhershme të Gjermanisë dhe Ruandës, së bashku me misionet e Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Kilit, Finlandës, Francës, Irlandës, Italisë, Jordanisë, Holandës, Lihtenshtajnit, Malajzisë, Zelandës së Re, Sllovenisë, Turqisë dhe misionit të Shteteve të Bashkuara.
Kabineti i kryesuesit të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Denis Beqiroviq, dhe anëtari i Presidencës, Zhelko Komshiq, njoftuan para mbajtjes së konsultimeve joformale në Nju Jork, se të dy do të qëndrojnë në selinë e OKB-së më 17 prill për shkak të rezolutës së propozuar për Srebrenicën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Ata shtuan se rezoluta e propozuar do të futet në agjendë në fillim të majit.Në draft-rezolutë, në të cilën ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë, kërkohet që të dënohet çdo mohim të gjenocidit në Srebrenicë dhe inkurajohen anëtarët e OKB-së që të ruajnë faktet e vërtetuara dhe të zhvillojnë program të duhura përmes sistemeve të tyre arsimore, në mënyrë që të parandalojnë revizionizmin dhe gjenocidin në të ardhmen.
Draft-rezoluta vë në pah rëndësinë e përfundimit të procesit të kërkimit dhe identifikimit të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë dhe mundësinë që ata të varrosen në mënyrë dinjitoze.
Po ashtu, rezoluta e propozuar bën thirrje për vazhdimin e ndjekjes ligjore të kryerësve të gjenocidit.
Më 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid, në të cilin u vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë më 1995 nga Ushtria e Republikës Sërpska.
Deri më tani, më shumë se 50 persona janë dënuar me mbi 700 vjet burgim për gjencodi dhe krime të tjera të kryera në Srebrenicë./REL
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co