Afrohet gjithmonë e më shumë edhe momenti i goditjes së dytë nga ana e Juventusit. Mesfusha, që ishte edhe reparti më problematik dhe me më pak cilësi i bardhezinjve në tre sezonet e fundit, po nis të marrë një formë të rëndësishme dhe shumë interesante.
Sapo kanë mbyllur gjithçka me brazilianin Duglas Luiz, dje ka qenë radha e Kefren Turamit për të nënshkruar marrëveshjen e tij me Juventusin.
Madje, për mesfushorin e Nicës janë programuar për në 48 orët në vazhdim edhe vizitat mjekësore, për të formalizuar kështu edhe blerjen e dytë nga ana e “Zonjës së Vjetër”. Vizitat do të kryhen në Francë, duke qenë se vëllai i sulmuesit të Interit është aktualisht i impenjuar në Olimpiadë me Kombëtaren e Francës dhe pas tyre do të vijë edhe zyrtarizimi.
Edhe për Kefren Turam, ashtu si për Luizin, kontratë 5- vjeçare prej afro 4 milionë eurosh neto në sezon, përfshirë edhe bonuset. Ndërkohë, Nica ka pranuar ofertën e Juventusit, e shtyrë kjo edhe nga dëshira e vetë futbollistit për t’u transferuar në Torino mbi bazën e 18 milionë eurove, por së bashku me bonuset shifra mund të shkojë deri në 25 milionë euro.
Drejtori sportiv, Kristiano Xhuntoli, po bën një punë të shkëlqyer duke goditur në shenjë edhe atë që ishte objektivi i dytë i trajnerit Tiago Mota, ndonëse menjëherë pas firmës së Turam do të nisë sulmi për mesfushorin tjetër, Teun Kopmainers të Atalantës.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co