Rrugët e Bunol në Spanjën lindore, u lyen me të kuqe ndërsa mijëra banorë dhe vizitorë u përfshinë në një “luftë me domate”, duke hedhur domate të pjekura në festivalin tradicional ‘Tomatina’.
Afro 22,000 njerëz, të veshur me të bardha, morën pjesë në këtë ngjarje që pushton qytetin çdo vit në javën e fundit të gushtit.
Shtatë kamionë shpërndanë 150 ton domate për “luftëtarët”, shumë prej të cilëve shkuan në këtë zonë, afër Valencias, enkas për festivalin.
Të huajt paguajnë 15 euro për të marrë pjesë në festival, ndërsa për vendasit është falas.
“Ne i duam domatet! Kjo është arsyeja pse vendosëm të vinim këtu dhe kaluam shumë mirë”, tha Taylor, nga Australia, duke vënë në dukje se ajo dhe miqtë e saj tani do të “gatuajnë spageti për të shkuar me salcën”.
Fillimi i “betejës” u dha nga fishekzjarrët që u ndezën kur njëri prej pjesëmarrësve arriti të ngjitej në një shtyllë të rrëshqitshme të lyer me sapun dhe të kapte një proshutë të varur nga maja.
Këto domate të veçanta janë rritur posaçërisht për festivalin dhe janë aq të pjekura sa nuk konsiderohen të përshtatshme për konsum.
Sipas faqes zyrtare të festivalit Tomatina, festa i ka rrënjët në një përleshje që shpërtheu në vitin 1945. Një grup adoleshentësh, në përpjekje për të parë nga afër një paradë, rrëzuan një nga pjesëmarrësit.
Më pas, shumë kalimtarë morën domate nga një stallë aty pranë dhe i përdorën si municion të improvizuar derisa policia ndërhyri për të rivendosur rendin.
Një vit më pas, të rinjtë e fshatit bënë një “rishfaqje” të betejës dhe disa prej tyre sollën edhe domatet e tyre. Në vitet 1950, nën diktatorin Francisco Franko, ngjarja u ndalua për disa vjet, por rifilloi në 1959 pasi u vendosën disa rregulla.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co