Një bombë amerikane e pashpërthyer e Luftës së Dytë Botërore e cila ishte e groposur në një aeroport japonez, ka shpërthyer të mërkurën, duke shkaktuar një krater në rrugë dhe ka bërë që të anulohen mbi 80 fluturime. Nga ky shpërthim nuk raportohet për persiona të lënduar.
Ministria e Transportit ka thënë se nuk ka pasur avionë afër në momentin e shpërthimit në Aeroportin Miyazaki, raportoi AP.
Zyrtarët kanë konfirmuar se shpërthimi kishte ardhur nga bomba, ndërsa po hetohet shkaku.
Fluturimet e anuluara pritet të nisin të enjten në mëngjes.
Aeroporti Miyazaki u ndërtua më 1943 si fushë trajnimi e fluturimit, nga ku disa pilotë kamikazë u nisën në sulme vetëvrasëse.
Një numër i bombave të pashpërthyera të gjuajtura nga ushtria e SHBA-së gjatë Luftës së Dytë janë gjetur. Megjithatë, shumë të tjera nga lufta mbesin të varrosura nëpër Japoni dhe nganjëherë dalin në sipërfaqe në zonat e ndërtimeve.