Ushtria izraelite tha të enjten se kishte vrarë pesë militantë të tjerë palestinezë në Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë një komandant lokal, ndërsa kreu për të dytën ditë me radhë operacioneve kundër terrorizmit.
Izraeli tha se bastisjet në veri të Bregut Perëndimor – gjatë të cilave që nga e marta janë vrarë gjithsej 16 persona, pothuajse të gjithë militantë, kanë për qëllim parandalimin e sulmeve.
Palestinezët thanë se ata i shohin si një zgjerim të luftës më shumë se 10 mujore mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës dhe që synojnë të përjetësojë sundimin ushtarak prej dekadash të Izraelit mbi Bregun Perëndimor.
Ndërkohë, Izraeli tha se ka rënë dakord për të paktën tre ditë “pauzë humanitare” të luftimeve në Gazë, duke filluar nga e diela, për të lejuar zyrtarët e shëndetësisë të Kombeve të Bashkuara të kryejnë vaksinimin kundër poliomielitit në territor, njoftoi Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Hamasi e mirëpriti pauzën humanitare për programin e vaksinave kundër poliomielitit, tha të enjten zyrtari i Hamasit, Basem Naim për Reuters.
Gjithashtu të enjten, zëvendësi i të dërguarit amerikan në Kombet e Bashkuara tha se Izraeli u kishte thënë zyrtarëve amerikanë se një “gabim në komunikim” mes njësive ushtarake izraelite, ishte bërë shkak për sulmin e armatosur, ndaj një automjeti të Programit Botëror të Ushqimit në Gazë.
Programi Botëror i Ushqimit pezulloi përkohësisht lëvizjen e punonjësve të tij në rajon të mërkurën, pasi të paktën 10 plumba goditën një nga automjetet e tij me shenja të qarta që mbanin emrin e organizatës, ndërsa po i afroheshin një postblloku ushtarak izraelit. Nga incidenti nuk pati të lënduar./VOA
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co