Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka zhvilluar një vizitë në Spitalin Rajonal të Vlorës ku stafi i mjekëve dhe infermierëve po përballon me sukses fluksin e shtuar të pushuesve gjatë këtij sezoni turistik.
Ministrja Koçiu fillimisht u ndal në Urgjencën e spitalit e cila ofron shërbime sipas standardeve më bashkëkohore për qytetarët, por edhe për pushuesit vendas e të huaj gjatë sezonit veror.
Koçiu u shpreh se Urgjenca e Vlorës merr rëndësi të veçantë në stinën e verës për shkak të fluksit që qyteti i Vlorës ka gjatë verës, shtuar sidomos edhe me rritjen e numrit të turistëve të huaj.
Rreth 12 mijë thirrje drejt numrit 127 të Urgjencës Kombëtare kanë qenë vetëm të qytetit të Vlorës gjatë këtij sezoni, ku stafi mjekësor ka kryer edhe 6645 vizita në banesë.
“Është shtuar numri i turistëve të huaj të cilët vijnë në Shqipëri kështu që edhe ndonjë simptomë problematike që kanë, janë institucionet si spitali, urgjenca dhe Qendrat Shëndetësore do duhet të përballojnë fluksin. Kjo kërkon një koordinim shumë të mirë të gjithë strukturave shëndetësore dhe ekipeve për të reaguar në kohë të shpejtë”, u shpreh ministrja Koçiu.
Ajo vlerësoi se Urgjenca Kombëtare ka luajtur dhe vijon të luajë rol të jashtëzakonshëm për koordinimin e rasteve.
Më tej, ministrja u ndal edhe te autonomia spitalore ku Spitali Rajonal i Vlorës është një prej 6 strukturave shëndetësore që ka nisur prej janarit të këtij viti aplikimin e autonomisë menaxheriale.
“Janë duke u bërë të gjitha praktikat e brendshme të punës me qëllim që të kostoni shërbimet, të vlerësoni kush janë ato shërbime si dhe për të ofruar shërbime për qytetarët, turistët vendas dhe të huaj dhe për të gjeneruar edhe më shumë të ardhura. Edhe praktika dyfishe këtu do t’ju ndihmojë për mjekët që janë të interesuar të zhvillojnë praktikën e punës jashtë orarit zyrtar, pra me përfundimin e orarit zyrtar. E gjitha kërkon edhe një ndryshim të mentalitetit dhe të marrjes së përgjegjësive”, vijoi Koçiu.
Në bashkëbisedim me stafin mjekësor, Koçiu tha se “Ministrinë e Shëndetësisë, qeverinë e keni në krah për t’ju mbështetur akoma më shumë siç po bëjmë me infrastrukturën dhe përmirësimin e saj dita ditës”.
“E gjithë infrastruktura e Spitalit të Vlorës tashmë është e një tjetër standardi dhe cilësie që absolutisht ju bën të gjithëve ju të ndihemi më mirë kur vini në punë. Patjetër që edhe investimet në pajisje kanë rëndësinë e tyre dhe ne vijojmë dita ditës me pajisjet e teknologjisë së fundit”, vijoi ajo.
Ministrja u ndal edhe të rritja e pagave për mjekët e përgjithshëm dhe infermierët, një tjetër premtim i qeverisë i bërë realitet dhe që ka hyrë në fuqi që në fillim të këtij muaji.
”Rritja e pagave të infermierëve me 15 mijë lekë mbi pagën aktuale dhe për mjekët e përgjithshëm me 20 mijë lekë mbi pagën aktuale është një tjetër incentivë e madhe për të përmbushur me profesionalizëm punën tuaj. Do doja të përfitoja nga rasti për t’i bërë një thirrje kujtdo që është në kërkim të shtëpisë së tij të parë, për të përfituar nga programi më i fundit qe kemi rihapur. Ne e hapëm vjet programin për përfitimin e banesës me interes zero të mbështetur nga shteti për mjekët. Ndërkohë këtë vit e kemi rihapur sërish dhe e reja është që kemi përfshirë edhe infermierët. Aplikimet janë të hapura deri në datë 14 gusht në platformën E-Albania”, deklaroi ministra e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co