
Quajeni fat ose zotësi. Por është fakt: Xhani De Biazi i ka nisur me fitore të gjitha fushatat eliminatore që qëndroi në krye të Shqipërisë. Italiani e nisi rrugëtimin zyrtar si trajner i kuqezinjve kundër Qipros për eliminatoret e Botërorit të Brazilit.
Një triumf 3-1 në “Qemal Stafa” me golat e Sadikut, Çanit dhe Erjon Bogdanit. Në atë edicion, Kombëtarja shqiptare flirtoi me kualifikimin duke fituar me Norvegjinë në Oslo dhe me Slloveninë, por gjithçka u zbeh me humbjen në Islandë.
Ai qëndroi gjithashtu edhe për Europianin 2016, ku fitoi kundër Portugalisë me golin e Bekim Balajt dhe e nisi në mënyrë fantastike rrugëtimin që e çoi në Francë. Për më tepër, aty arriti që të fitonte ndeshjen e parë në histori në Europian.
Goli i Armando Sadikut ishte vendimtar për të thyer Rumaninë në ndeshjen e fundit që mbajti me shpresë shqiptarët për një kualifikim në fazën tjetër.
De Biazi u bë hero dhe qëndroi edhe për Botërorin e Rusisë, duke fituar gjithashtu ndeshjen e parë ndaj Maqedonisë së Veriut. Një sfidë që u luajt në 2 ditë për shkak të një rrebeshi në Shkodër që e ndërpreu. Bekim Balaj rezultoi vendimtar në qytetin e tij. Balaj dhe Sadiku i kanë sjellë shumë fat italianit.
PANORAMASPORT.AL