Barcelona e Hansi Flik duket se i ka lëshuar frenat dhe po shënon me një ritëm të çmendur. Katalanasit kanë shënuar tre e më shumë gola në shtatë ndeshje radhazi mes kampionatit spanjoll dhe Ligës së Kampioneve.
Ata janë skuadra që ka shënuar më shumë, si në La Liga, ashtu dhe në Champions, duke arritur shifra spektakolare që nuk janë parë prej shumë vitesh. Barça numëron 40 gola në La Liga në dymbëdhjetë ndeshje dhe 15 në Champions League në katër ndeshje; 55 në total me një mesatare prej 3.4 gola për ndeshje. Sa për krahasim, në sezonin e kaluar me po kaq ndeshje, skuadra kishte shënuar 23 gola më pak!
Dhe një pjesë jo e vogël e golave mban firmën e Robert Levandovskit, i cili ndeshje pas ndeshje po tregon se ata që e panë atë praktikisht “të mbaruar” dhe donin ta largonin në merkaton e verës e kishin krejtësisht gabim. Te Bajerni i Mynihut ai shënonte gjithmonë shumë gola, por ishte Hansi Flik ai që mori maksimumin prej tij në ato dy sezone që përkuan së bashku. Trajneri gjerman nuk dyshoi se të njëjtën gjë ai do të arrinte edhe te Barcelona. Ai besonte se do të mund ta riaktivizonte sulmuesin polak dhe të krijonte një ekosistem ideal që ai të bëhej sërish një nga golashënuesit më të mirë.
Polaku kishte nevojë edhe për ardhjen e një të njohuri të vjetër për të motivuar veten dhe për të bërë “reset” pasi nuk e mbylli dhe aq mirë me Ksavi Hernandezin. Sulmuesi 36-vjeçar po shënon gola si të ishin një shaka.
“Ai ka ambicie të mëdha dhe ky është çelësi, ai gjithmonë dëshiron më shumë, ndeshje pas ndeshje dhe kjo është e rrallë të shihet”, tha Flik. Leva ka shënuar tashmë 14 gola në 12 ndeshje në La Liga dhe është golashënuesi më i mirë i kompeticionit, duke shënuar sa dyfishi i ndjekësit të tij më të afërt që është shok skuadre, Rafinja.
Përveç kësaj, me dytë golat e tij në Beograd, ai arriti pesë gola në katër ndeshje të Ligës së Kampionëve, gjë që e vendos atë si golashënuesin më të mirë të kompeticionit së bashku me Herri Kejn, Gojkoeres dhe Rafinja. Në total, ai ka numëron 19 gola në 16 ndeshje zyrtare këtë sezon. Leva duket se është një yll që nuk perëndon kurrë. për këtë i mjaftoi Flik.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL