Ish-mbrojtësi i Arsenalit, Uilliam Galas, ka këshilluar ish-klubin e tij që të bëjë një lëvizje të guximshme në merkato. Më në fund, sipas francezit, “Topçinjtë” duhet të firmosin me një sulmues të klasit botëror.
E sipas tij, Aleksander Isak i Njukasëllit është zgjedhja ideale. Gallas, duke komentuar dështimet e fundit të Arsenalit në garën për titull, ka vendosur në pikëpyetje strategjinë e klubit për repartin e avancuar, teksa theksoi mungesën e një shënuesi të vërtetë. “Arsenali ka qenë në kërkim të një sulmuesi për një kohë të gjatë.
Nuk e di saktësisht sa, por një sulmues i klasit të lartë duhej të ishte transferuar 2-3 vite më parë”, u shpreh Galas. Francezi shtoi se drejtuesit e klubit nuk e kanë konsideruar si prioritet nënshkrimin me një qendërsulmues të vërtetë, prandaj kjo ka qenë vendimtare në humbjen e mundësive për të fituar titullin.
“Sido që të shohësh sezonet e fundit, ndonjëherë duket sikur Arsenali nuk e ka dashur me të vërtetë kampionatin. Ata ishin mjaft afër, por nuk bënë atë hapin e fundit për të plotësuar skuadrën”.
Tashmë, Arsenali përmendet përkrah disa emrash për sulmin, një situatë që Galas e sheh si të përsëritur nga merkatoja e janarit. Ai shpreson që këtë herë klubi të jetë më i vendosur dhe të sjellë sulmuesin e duhur. “Për mua, lojtari që i mungon Arsenalit është Aleksander Isak. Vërtet është i shtrenjtë, por garanton më shumë se 20 gola në sezon dhe po përmirësohet vazhdimisht. Arsenali duhet të paguajë për të. Isak është ajo pjesë e fundit që mungon në “pazëll”. Është sulmues perfekt që mund t’ua japë kampionatin”, e mbylli Galas.
PANORAMASPORT.AL
The post Emri që do i bënte punë Artetës, Uilliam Galas i jep këshillë Arsenalit për sulmin appeared first on Gazeta Shqiptare Online.