Sinan Idrizi nuk e fsheh që e priste në Vlorë Dejvi Bregun. Pavarësisht se Bregu zgjodhi Dinamo City, presidenti i Flamurtarit nuk i mërzitet, por i rikujton se derën e ka të hapur kurdoherë.
Gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, të dhënë nga Ankaraja e Turqisë ku gjendet për arsye pune, Sinan Idrizi shpreh bindjen se një ditë Bregu do të rikthehet në Vlorë. “Ne e prisnim në Vlorë, por mendoj se bëri më të mirën për veten e tij dhe kaq. Ne kishim dëshirë ta shikonim në Vlorë, si pjesë e Flamurtarit. Në argumentin e tij, në arsyetimin e tij, ka menduar që i bëhet më mirë atje ku shkoi. Ne e donim këtu, shkoi atje, suksese!
Nuk ka asnjë gjë të keqe kjo. Kam parë ca tifozë që reagonin. Ai thjesht ka menduar më të mirën e tij. Jam i sigurt që një ditë do të vijë te Flamurtari të luajë. Flamurtari i ka dyert të hapura gjithmonë. Por kishim dëshirë ta kishim në Vlorë.
Kjo puna e dëshirës është pak interesante. Kur të kesh kohë ndonjëherë, ka një këngë shumë të bukur ‘Pink Floyd’ (grupi i rokut anglez), që titullohet: ‘Wish you were here’. Thotë: “Dëshiroj të ishe këtu”. Unë dëshiroja të ishte në Vlorë, por nuk është. I uroj suksese gjithmonë! Në bisedat që kishte bërë me ne opsioni më i afërt, ishte që do të vinte në Vlorë.
Shiko, nuk duhet paragjykuar një futbollist kur zgjedh për karrierën e tij. Në ekuilibrin e brendshëm për të vendosur mes karrierës te Flamurtari dhe te Dinamo ka menduar se mund të jetë më e mirë për karrierën e tij. Nuk mund ta kryqëzojmë që pse nuk erdhi te ne. Duhet ta mirëkuptojmë dhe t’i urojmë suksese, është një djalë i yni, ka dalë nga Akademia e Vlorës, kudo ku ka shkuar ka bërë më të mirën dhe kaq. Nuk duhet parë si një dramë”, shprehet Idrizi.
RIHAPET MERKATO
Driblimi i Djevi Bregut ka bërë që merkato të mos mbyllet ende. Presidenti Sinan Idrizi kërkon një lojtar në nivelit të lartë, dhe thotë se e ka piketuar, por nuk e zbulon për shkak të bisedimeve. “I thashë trajnerit tani… Ne kishim pezulluar bisedimet me një lojtar tjetër për punën e Bregut. U thashë vazhdoni, klubi do të plotësojë çdo lloj kërkese, pavarësisht çdo lloj kërkese ekonomike. Kjo nuk diskutohet. Merkatoja nuk është mbyllur. Unë e kam një ëndërr, por puna është se kjo mos është si ‘Ëndrra e një nate vere’, dhe mos nuk më vjen prandaj nuk po ta deklaroj emrin. (Qesh). Do thuash pastaj që me këto ëndrrat e netëve të verës na çmende. Ne përpiqemi të bëjmë tonën. Pjesën më të madhe të këtyre ëndrrave i kemi realizuar me këta lojtarët që kemi sjellë. Tani po e sollëm dhe këtë pastaj do t’i shtojmë më pjesë më pjesës nga sa kemi”, thotë kreu i klubit.
LARGIMET
Arton Podrimcaku dhe Gersi Diamanti janë dy largimet më të fundit nga Flamurtari. Administratori Idrizi thekson, se nëse do të ketë lojtarë të tjerë që nuk i përgjigjen ritmit të skuadrës, nuk do të jenë më pjesë e saj.
“Ti e di shumë mirë që unë nuk largoj kurrë as një njeri. Nëse nga stafi që menaxhon Flamurtarin do të ketë kërkesë apo pakënaqësi, unë ua kam thënë lojtarëve që nga mua nëse keni probleme hajde më flisni vetëm për anën financiare. Nuk ju zbres kurrë më poshtë se nuk është përgjegjësia ime kjo. Keni një staf që drejton dhe kaq.
Nëse stafi që drejton Flamurtarin, trajneri, drejtorët janë të pakënaqur dhe mendojnë të largojnë dhe nuk e shohin të arsyeshme, nuk ecin me ritmin e ekipit patjetër që do të largohen, cilido qoftë. Nuk ka asnjë tolerim te kjo”, deklaron Idrizi.
SUPERIORJA
Sinan Idrizi ua ka bërë të qartë stafit teknik dhe futbollistëve se objektivi madhor nuk diskutohet më. “Superiorja nuk diskutohet më! Të arrijmë tani ne të komentojmë akoma…Nuk diskutohet më te kjo pjesë. Më këtë ekip, me këto kushte, nëse nuk e ngjisim më atëherë çfarë të them. Sot (dje) unë jam në Ankara.
Nesër (sot) do të shkoj te fabrika e këtyre që kanë prodhuar fushat e sportit. Domethënë fillojnë fushat. Kanë ardhur të gjitha, ndërrohen të gjitha te fushat e Flamurtarit. Rinovohet e gjithë, me stolat, me qëndrimin…Kemi tri investime dhe jo një. Ne bëmë një kontratë me një firmë, vetëm rrobat, uniformat e Flamurtarit do t’i shikosh se çfarë do të jenë. Pra, nuk ka më kuptim tani. Duhet të ecin paralel logjistika, infrastruktura, por edhe ekipi. E kupton, nuk diskutohet më objektivi”, përfundon Idrizi.
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co