Klaus Gjasula është tërhequr nga Kombëtarja Shqiptare. Në një reagim në Instagram, ai shkruan se ëndrrën e tij e ka realizuar duke luajtur me kombëtaren dhe duke marrë pjesë në Europian.
Gjasula shprehet se është menduar gjatë dhe ka gjykuar me ftohtësi që është koha për t’u tërhequr, në mënyrë që t’u hapet rruga të rinjve të tjerë të talentuar në futboll.
“Gjithsesi, jam menduar shumë kohët e fundit dhe me ftohtësi kam gjykuar e kam marrë vendimin për t’u tërhequr nga Kombëtarja. Është vendimi i duhur për t’u hapur rrugën të rinjve, që Kombëtarja jonë fatmirësisht ka shumë. Unë e realizova ëndrrën time dhe tani është koha për të tjerë që ta plotësojnë dhe ta jetojnë atë ëndërr”, shkruan ai, teksa shton se pas 5 vitesh do të jetë në stadium si tifoz, për të mbështetur Kombëtaren.
Ai ka falënderuar Federatën Shqiptare të Futbollit, presidentin Armand Duka, trajnerët, stafin, lojtarët dhe tifozët.
“Për mua ishte nder dhe krenari të vishja fanellën e Kombëtares!”, përfundon postimin e tij Gjasula, i cili numëron 29 ndeshje me Kombëtaren, duke debutuar më 7 shtator 2019 në ndeshjen Francë-Shqipëri, ndërsa ishte pjesë e Shqipërisë në Kampionatin Europian “Gjermani 2024”, aty ku gjeti edhe rrugën e rrjetës për herë të parë me fanellën kuqezi në sfidën e paharrueshme Kroaci – Shqipëri, që përfundoi në barazim 2-2.
Postimi i plotë:
Të dashur miq,
E kisha ëndërruar gjithmonë të luaja me Kombëtaren dhe e realizova. Isha në një Europian, shënova një gol dhe u ndjeva njeriu më i lumtur në botë. Nëse kthej kokën pas, kam plot momente të bukura me fanellën kuqezi, që nga grumbullimi i parë, te ndeshja debutuese ndaj Francës në “Stade de France” dhe tek ajo e fundit ndaj Kroacisë në Euro 2024. Edhe kur e mendoj tani ende dridhem nga emocionet.
Gjithsesi, jam menduar shumë kohët e fundit dhe me ftohtësi kam gjykuar e kam marrë vendimin për t’u tërhequr nga Kombëtarja. Është vendimi i duhur për t’u hapur rrugën të rinjve, që Kombëtarja jonë fatmirësisht ka shumë. Unë e realizova ëndrrën time dhe tani është koha për të tjerë që ta plotësojnë dhe ta jetojnë atë ëndërr.
Pas pesë vitesh do të kem mundësinë të vij në stadium dhe ta mbështes Kombëtaren tonë si tifoz. I jam falënderues Zotit, familjes time dhe të gjithë njerëzve që më kanë qëndruar pranë në çdo moment dhe kanë bësuar tek unë.
Në veçanti dua të falënderoj edhe Federatën Shqiptare të Futbollit, Presidentin Armand Duka, trajnerët më të cilët kam punuar, Edoardo Reja dhe Sylvio Mendes Campos Junior, stafin teknik të Kombëtares dhe të gjithë bashkëlojtarët që ndamë këtë rrugëtim, që për mua është më i veçanti.
Sukseset e arritura nuk do të ishin të mundura pa tifozët më të mirë në botë, ata të cilët na kanë mbështetur gjithmonë, si në humbje, fitore apo barazim.
Faleminderit nga zemra të gjithë tifozëve kuqezi.
Për mua ishte nder dhe krenari të vishja fanellën e Kombëtares!
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co