Largimi i Luka Modriç (39 vjeç) lë një boshllëk të madh në ekip dhe në zemrat e tifozëve të Realit të Madridit. Klubi natyrisht që humbet diçka nga shkëlqimi me largimin e gjeniut nga Zadari.
Trashëgimia e tij është e prekshme në muzeun e “Bernabeu”-t: 28 tituj në të cilët kroati ka kontribuar. Dhe vitrina e tij private përmban një trofe ekstra, “Topin e Artë”. Ai ishte i vetmi lojtar i mbetur në skuadër që mund të mburrej me çmimin e lakmuar, të cilin Luka e fitoi në vitin 2018, vitin e 13-të dhe në të cilin Kroacia doli nënkampione në Kupën e Botës. Largimi i tij krijon një situatë praktikisht të paprecedentë në një çerek shekulli në Madrid: në 25 vitet e fundit, prania e të paktën një “Topi të Artë” në skuadrën e Realit ka qenë pothuajse e pandërprerë, me nëntë mbajtës të trofeut që kanë kaluar nëpër dhomat e zhveshjes së të bardhëve.
Çmimi i krijuar për të plotësuar idenë e madhe të Kupës Europiane, i shkoi Di Stefanos dy herë dhe Kopa një herë në tri nga katër edicionet e para. Për dekada më pas, trofeu i shpëtoi Realit të Madridit. Por me ndërrimin e shekullit dhe shtytjen që Florentino Pérez dha me ardhjen e tij në presidencë për të tërhequr lojtarët më të mirë në botë, gjë që i dha jetë epokës së “Galácticos”, fituesit e trofeut u bënë bujtës të rregullt në “Bernabéu”.
“TOPAT E ARTË GALAKTIKË” – Luis Figo, tërheqja e madhe për fushatën zgjedhore të Florentino Perez dhe njeriu që e ndihmoi atë të bëhej president në vitin 2000, përuroi këtë çerek shekulli të fitoreve pothuajse të pandërprera të “Topit të Artë” për Madridin. Ishte ende epoka kur fituesi u shpall në kopertinën e edicionit të së martës të “France Football”. Dhe ylli portugez ishte ylli i asaj faqeje të parë më 19 dhjetor 2000. Verën pasuese mbërriti Zidan, pasi kishte fituar topin e lakmuar tre vjet më parë (në vitin 1998), pasi e udhëhoqi Francën drejt lavdisë së Kupës së Botës. Dhe një vit më vonë, u nënshkrua Ronaldo, pasi e kishte fituar atë në vitin 1997 dhe e kishte përsëritur si lojtar i Realit të Madridit. Në sezonin 2004-05, skuadra arriti të kishte katër fitues të “Topit të Artë” në përbërje: Figo, Zidane, Ronaldo dhe Ouen, të cilët e kishin privuar Raulin nga çmimi në vitin 2001. Portugezi dhe anglezi u larguan në vitin 2005 dhe Zidan vendosi të tërhiqej në fund të sezonit 2005-06. Ronaldo, i cili më vonë do të largohej nga klubi në fund të janarit 2007, mbeti vetëm. Por jo për shumë kohë. Madridi nënshkroi kapitenin e kampionëve të Kupës së Botës të Italisë, i cili ishte gjithashtu fituesi i “Topit të Artë” atë vit, Fabio Kanavaro. Dy muaj më vonë, në janar 2007, Ronaldo u largua për në Milano dhe “Il Bello” mbeti fituesi i vetëm i çmimit për dy vjet e gjysmë.
EPOKA E KRISTIANOS – Vera e vitit 2009 ishte një treg transferimesh vërtet revolucionar për Madridin. Duke përkuar me rikthimin e Florentino Pérez në presidencë, klubi ndërmori një riorganizim të thellë të skuadrës, duke investuar më shumë se 250 milionë euro, me nënshkrime që përcaktuan një epokë. Kanavaro u largua, por mbërritjet përfshinin, ndër të tjera, Kaka-në dhe Kristiano Ronaldon, dy fituesit e fundit të “Topit të Artë” të kohës, Karim Benzemanë, i cili do të ngrinte trofeun në vitin 2022 dhe trajnerin aktual, Ksabi Alonso. Kaka u kthye në Milano pas katër vitesh zhgënjyese, por Kristiano udhëhoqi një epokë triumfuese në të cilën Madridi rizbuloi Kupën e Europës, fitoi Ligën e Kampioneve katër herë dhe kombëtarja portugeze fitoi përsëri “Topin e Artë” në vitet 2013, 2014, 2016 dhe 2017.

MODRIÇ DHE BENZEMA – Me largimin e Kristiano Ronaldos në vitin 2018, erdhi edhe pushimi. Madridi mbeti pa fituesit e “Topit të Artë” në dhomat e zhveshjes. Por kjo boshllëk nuk zgjati shumë. Vetëm disa muaj. Deri më 3 dhjetor 2018, kur Luka Modric fitoi “Topin e Artë” në “Grand Palais” në Paris. Kjo flakë ka mbetur e gjallë në dhomat e zhveshjes deri më tani. Dhe madje shtoi shoqëri kur Benzema, pas sezonit të tij të jashtëzakonshëm (44 gola, 15 prej të cilëve në Ligën e Kampionëve) në rrugën e tij drejt të 14-tit, u kurorëzua më 17 tetor 2022, në “Théâtre du Châtelet”. Një çerek shekulli i artë që përfundon me largimin e Modriçit.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL
The post E paprecedentë në dhomën e zhveshjes këto 25 vitet e fundit/ Reali i Madridit, si jetim pa “Topin e Artë” appeared first on Gazeta Shqiptare Online.