GJERMANI
Për herë të parë në historinë 87-vjeçare, Volkswagen shqyrton mbylljen e fabrikave në Gjermani, duke e argumentuar këtë me nevojën për të mbetur konkurrues.
Gjiganti gjerman i automobilëve, Volkswagen tha këtë javë se nuk mund ta përjashtojë mbylljen e fabrikave për të ulur shpenzimet prej rreth 4 miliardë eurosh, më shumë se sa ishte planifikuar fillimisht në planin fillestar të kursimit.
Bordi i Volkswagen AG tha se strategjia aktuale e ofrimit të kontratave të reduktuara dhe pensionimi i parakohshëm i punëtorëve nuk është më i mjaftueshëm për të përmbushur objektivat e kompanisë dhe njoftoi se do të mbyllë një program për sigurinë e punës, i cili ka qenë në fuqi që nga viti 1994.
“Mjedisi ekonomik është përkeqësuar dhe konkurrentët e rinj po bëjnë presion drejt tregut europian. Gjermania është duke mbetur prapa si një vend konkurrues. Si kompani, ne duhet të veprojmë.” tha shefi ekzekutiv i Volkswagen AG, Oliver Blume.
Volkswagen ka rënë në shitje pas degëve pjesë të koncernit si Skoda, Seat dhe Audi. Një sërë shkurtimesh të shpallura në vitin 2023 supozohej të ndryshonin gjërat duke kursyer rreth 10 miliardë euro deri në vitin 2026, drejt rrugës për t’i mbijetuar tranzicionit drejt makinave elektrike.
Por, gazeta gjermane financiare Handelsblatt raporton se do tw duhen edhe 4 miliardë euro shtesë shkurtime.
Ndërkohë, kryetarja e këshillit të punëtorëve, Daniela Cavallo ka premtuar se do t’u rezistojë planeve të cilat ajo i quajti “një sulm ndaj punësimit.
Sindikata IG Metall e quajti njoftimin një vendim të papërgjegjshëm që “tund themelet” e kompanisë, i cili është punëdhënësi më i madh industrial në Gjermani dhe prodhuesi më i madh i makinave në Europë. Përplasjet me sindikatat u kanë kushtuar disa drejtuesve të Volkswagen punën e tyre. Gati gjysma e 650,000 punëtorëve të Volkswagen në mbarë globin janë në Gjermani.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co