Emisioni “Në Shënjestër” i gazetares Klodiana Lala në News24 trajtoi sot atë që pritet të ndodhë me Himarën, atje ku në 4 gusht do të mbahen zgjedhjet e pjesshme vendore, për zgjedhjen e Kryebashkiakut të ri.
Dy ish-kryebashkiakë në pranga, dhe një i komanduar nën hetim.
Një bilanc dramatik prangash për një bashki të vogël si Himara, e denjë ndoshta vetëm për vendet më të korruptuara të rruzullit.
Ku ajo që përbën habi është se në këtë bilanc, nuk kemi vetëm zyrtarë që korruptohen pasi marrin detyrat, por edhe nga ata që pasi janë përfshirë në afera korruptive, katapultohen nga partia në krye të posteve drejtuese në këtë bashki.
Por hetimet për tjetërsimin e pronave duket se nuk do të ndalen këtu, pasi mafia e tokave në bregdet, dhe konkretisht në bregdetin e lakmuar të jugut, mendohet të jetë më e zgjatuar se kaq.
Dhe mund të shtrihet në shumë emra të përveçëm të lidhur me politikën.
Duke filluar nga politikanë në Tiranë dhe deri në biznesmenë të cilët kanë shtrirë duart për të bërë të tyren këtë pjesë të Shqipërisë.
Ku hetimi i nisur për Jorgon Goro, është vetëm fillimi i ngritjes së një perdeje, që do na zbulojë edhe të tjerë emra të përfshirë.
Nga ku deri më tani shigjetat janë kthyer mbi Artan Gaçin dhe bashkëshorten e tij, Olta Xhaçka.
Por Himara nuk duket se do të bjerë në qetësi, të paktën së shpejti.
Madje duket se do të jetë më e nxehtë se temperaturat në vazhdim.
Kjo pasi, Presidenca e Republikës caktoi 4 Gushtin si datën e zgjedhjeve të reja për Bashkinë e Himarës, menjëherë sapo Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ndërpreu mandatin kryebashkiakut të zgjedhur Alfred Beleri, i cili u cilësua fajtor dhe dënua me formë të prerë për akuzën e shitblerjes së votës në garën e 14 majit 2023.
Gjithcka ndodhi sa hap e mbyll sytë.
Në të njëjtën ditë që Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi, shpalli papajtueshmërinë e mandatit të Belerit me Ligjin, po atë ditë kryeministri kërkoi nga presidenti Begaj shpalljen e datës së re të zgjedhjeve.
Kreu i shtetit nuk vonoi. Dekretoi datën 4 gusht si datë zgjedhjesh.
Këshilli i Ministrave
Këshilli i Ministrave njoftoi zyrtarisht Presidentin e Republikës për vakancën e krijuar në Bashkinë Himarë për shkak të konstatimit të pavlefshmërisë së mandatit të fituar nga z.Dhionisios (Alfred) Petro Beleri dhe kërkoi caktimin e datës së zgjedhjeve brenda afateve që përcakton Kodi Zgjedhor.
Kryetari i zgjedhur i Bashkisë Himarë është gjendur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në kushtet e pavlefshmërisë së mandatit për shkak të dënimit me vendim të formës së prerë për veprën penale të ‘korrupsionit aktiv në zgjedhje’, të parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Pas konsultës me Z.Ilirjan Celibashi, Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve, Presidenti i Republikës, Z. Bajram Begaj, dekretoi datën 4 gusht 2024 për zhvillimin e zgjedhjeve për Kryetar Bashkie në Bashkinë Himarë, si alternativa më e mirë që pajton nevojën për përgatitjen dhe zhvillimin e një fushate të rregullt zgjedhore, si dhe nevojën për përgatitjen optimale të administratës zgjedhore me kushtet, rrethanat dhe ngarkesën që sjell sezoni turistik për Bashkinë Himarë, si njësi bregdetare e qeverisjes vendore.
Por ky vendim i shpejtë i Presidencës i marrë brenda ditës për shpalljen e zgjedhjeve të reja në Himarë la të pakënaqur opozitën.
E cila më anë të kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, u shpreh se ky vendim ishte antikushtetues.
Duke e akuzuar Presidentin e Republikës se po kthehet në një qokë të kryeministrit Edi Rama, për hallet e tij personale, gjatë kohës kur shërbente si Gjeneral në Forcat e Armatosura.
Dhe se në krye të Presidencës, po sillet si një patericë e kryeministrit.
Gazmend Bardhi
Çfarë turpi për Presidentin e Republikës që shkel hapur Kushtetutën dhe ligjin duke dekretuar zgjedhje pa një vendim të ekzekutueshëm ende për pavlefshmëri të mandatit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës
Teatri i sotëm i koordinuar mes Edi Ramës dhe një gjenerali të bërë ushtar, është një atentat ndaj shtetit ligjor, që tregon asgjesimin politik të institucionit të Presidentit të Republikës.
Vendimi i sotëm i KQZ nuk është ende i ekzekutueshëm pa kaluar afati i ankimit.
Presidenti i Republikës Bajram Begaj gabon rëndë kur mendon se problemet e tij të integritetit në detyrat shtetërore pararendëse do i tejkalojë duke u sjell si vartës i rëndom i Edi Ramës.
Por ndërsa opozita e Bashkuar e ka tashmë një kandidat për zgjedhjet e 4 gushtit dhe ai është Petro Gjikuria, edhe maxhoranca e ka tanimë zyrtarisht një kandidat për këto zgjedhje.
Ku kandidat është Vangjel Tavo.
Disa herë deputet në siglën e Partisë Socialiste.
Së fundmi ish-deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim, në Qarkun e Gjirokastrës, dalë nga zgjedhjet e 25 Qershorit 2017.
Tavo i lindur në Jorgucat të Gjirokastrës, me profesion mjek obstetro gjinekolog, i cili për 9 muaj, nga korriku i vitit 2012 deri më prill 2013, ka mbuluar detyrën e Ministrit të Shëndetësisë.
Ku në muajin mars të këtij viti me firmë të kryeministrit Rama, ai ishte emëruar Prefekt i Qarkut Vlorë.
Dhe që në këtë kohë përflitej se do të ishte kandidat për zgjedhjet në Himarë.
Po kur socialistët kanë ndezur motorët e fushatës, Alfred Beleri nga ana tjetër ka nisur një front të ri përballje me drejtësinë.
Ai ka trokitur në dyert e gjykatës Administrative duke paditur Presidentin e Republikës, Bajram Begaj.
Beleri kërkon pezullimin e dekretit të Presidentit me argumentin se vjen në kundërshtim me Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor.
Beleri këmbëngul në marrjen e masës së sigurimit të padisë, thënë ndryshe ngrirjen e dekretit të kreut të shtetit, derisa të ushtrojë rrugët e ankimit kundër vendimit të Ilirjan Celibashit, që e konsideron të padrejtë.
Pasi sikurse argumenton, nëse zhvillohen zgjedhjet dëmi që i shkaktohet është i pakthyeshëm.
Njëherazi më kete veprim ai ka kërkuar leje nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve që më 15 Korrik të ketë mundësinë të betohet si deputet i parlamentit europian.
Por çfarë do të ndodhë në Himarë, a do kemi sërish një ndërhyrje të Greqisë në këto zgjedhje?
Përtej emrave dhe skenarëve duket se situata në Himarë nuk do të jetë e qetë.
Do të kemi një dorëzim në heshtje, një flamur të bardhë në Himarën e kthyer në fushëbetejë, apo nisjen e një lufte të re, që do ta tensionojë edhe njëherë nga e para situatën, që edhe kaq është mjaftueshëm e nxehtë edhe pa datën 4 Gusht, kur do mbahen zgjedhjet e re në këtë qytet.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co