“Duhet të mbrojmë civilët”, sekretari i Përgjithshëm i OKB: BE të shmangë standardet e dyfishta rreth Gazës dhe Ukrainës

duhet te mbrojme civilet sekretari i pergjithshem i okb be te shmange standardet e dyfishta rreth gazes dhe ukraines
duhet te mbrojme civilet sekretari i pergjithshem i okb be te shmange standardet e dyfishta rreth gazes dhe ukraines

Liderëve të Bashkimit Evropian (BE) u është kërkuar të enjten ta respektojnë ligjin ndërkombëtar në Rripin e Gazës ashtu siç e respektojnë në Ukrainë, pasi qindra mijëra palestinezë janë duke u përballur me mungesë të skajshme ushqimi dhe mbase me uri absolute.

Në një samit të BE-së në Bruksel, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, iu lut liderëve të jenë të bashkuar dhe të fortë për t’i respektuar standardet e mishëruara në Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe në ligjin ndërkombëtar.

“Parimi thelbësor i ligjit ndërkombëtar humanitar është mbrojtja e civilëve. Ne duhet t’i përmbahemi parimeve në Ukrainë ashti si në Gazë, pa standarde të dyfishta”, tha Guterres për gazetarë, duke qëndruar pranë presidentit të Këshillit të BE-së, Charles Michel.

Derisa një agjenci humanitare e OKB-së ka paralajmëruar se “uria absolute është e pashmangshme” në veri të Gazës, Izraeli duket i vendosur për ta nisur një ofensivë tokësore në qytetin jugor, Rafah, ku shumë njerëz kanë kërkuar strehim nga luftimet.

Blloku me 27 vende anëtare ka kohë që është i ndarë në qëndrimin e tij për Izraelin dhe palestinezët, ndërsa sulmi i 7 tetorit nga Hamasi – grupi i shpallur terrorist nga ajo dhe SHBA-ja – i ka qartësuar këto dallime.

Por, derisa numri i të vrarëve në Gazë është rritur pothuajse në 32.000, po rritet edhe numri i vendeve që po i mbështesin thirrjet për një armëpushim.

Kur bëhet fjalë për Kievin, pothuajse i tërë blloku e sheh luftën tashmë dyvjeçare të Rusisë në Ukrainë si një kërcënim për ekzistencën e saj. Ato kanë derdhur miliarda euro në mbështetje të Ukrainës, duke i dhënë asaj armë dhe municion dhe duke e ndihmuar ekonominë e saj të rrënuar nga lufta.

“Përgjigja e Evropës ndaj krizën së tmerrshme në Palestinë ka qenë e gabuar, të jemi të sinqertë”, tha kryeministri irlandez, Leo Varadkar, vendi i të cilit është në mesin e mbështetësve më të fuqishëm të palestinezëve.

Kryeministri i Belgjikës, Alexander De Croo, e përshkroi si “dramatike” atë që po ndodh në Gazë.

“Ne sot shohim njerëz të cilët tentojnë ta ushqejnë veten duke ngrënë bar. Njerëz të cilët janë buzë urisë absolute. Evropa duhet të udhëheqë, jo të ndjekë hapa. Prandaj, është koha që ne të jemi të qartë: të kërkojmë armëpushim të menjëhershëm, të kërkojmë lirimin e pengjeve”, tha ai.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit i ka zhvendosur 80 për qind të popullsisë prej 2.3 milionë palestinezë nga shtëpitë e tyre. Zyrtarët e BE-së thonë se një çerek i popullsisë vuan nga uria.

Pjesëtarët e Hamasit i vranë rreth 1.200 njerëz gjatë një sulmi befasues më 7 tetor në Izrael, i cili edhe e nxiti këtë luftë, si dhe i rrëmbyen 250 të tjerë.

Besohet se Hamasi është duke i mbajtur edhe rreth 100 pengje të tjera./ REL

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →