Leo Messi-C.Ronaldo, dueli i tyre i përjetshëm, dhe ajo që i dy yjet e futbollit botëror kanë lanë pas është e vështirë të përsëritet. Në Spanjë dhe jo vetëm shpresojnë shumë që kjo histori të ndodh në vitet në vijim, teksa Real Madrid ka rezervuar shërbimet e Kylian Mbappe, ndërsa Barcelona tenton të josh Erling Haaland. Nuk është e sigurt nëse ky duel do të ndodhë, por e sigurt është që dy klubet më të famshme në Spanjë kanë në përbërje dy nga talentet më të mëdhenj që kanë dalë në vitet e fundit, bëhet fjalë për Lamine Yamal dhe Endrick.

Yamal po udhëheq Barcelonën në këtë moment të vështirë, po bën protagonistin edhe te Spanja, pavarësisht se është vetëm 17 vjeç. Ndërkohë, Real Madrid ka siguruar shërbimet e yllit brazilian i cili në dy miqësoret e fundit realizoi dy gola me shumë peshë.

Endrick ndëshkoi Anglinë duke i dhuruar Brazilit fitoren, bëri të njëjtën gjë edhe kundër Spanjës duke realizuar një gol shumë të bukur, në të dyja ndeshjet u fut në fushë si zëvendësues, i mjaftuan vetëm pak minuta. Ashtu si Yamal, edhe Endrick është vetëm 17 vjeç.

Në pritje për të zbuluar se cila do të jetë e ardhmja e Mbappe dhe Haaland, në Spanjë janë të sigurt teksa shohin te Endrick dhe Yamal duelin e së ardhmes.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co