Gentiana Sula, kryetare e Autoritetit të Dosjeve, e ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në Neës24 ka zbuluar detaje nga veprimtaria dhe puna e këtij institucioni.
Sula u shpreh se dosja për Martin Camajn në arkivë nuk është dosje e bashkëpunimit të tij me Sigurimin e Shtetit asokohe.
Ajo shtoi se kjo dosje përmban profilin e tij dhe ka dokumente të sajuara nga Sigurimi i Shtetit për ta kërcënuar atë me jetë.
Sula ka folur po ashtu për dosjen e Drita Çomos duke thënë se për këtë të fundit dosja u hap që në moshën 16-vjeçare dhe në të ajo përshkruhet me nota urrejtjeje nga autoriteti i kohës.
“Institucioni u bë 7 vite që ekziston dhe është krijuar në mënyrë që t’i përgjigjet kërkesave të qytetarëve dhe institucioneve. Rast pas rasti bëhet kërkesa për de klasifikim dhe kryhet. Institucioni ka edhe një aksion të vetin duke kryer de klasifikime në mënyrë më masive për t’i ardhur në ndihmë publikut.
Për sa i përket dokumenteve që lidhen me marrëdhëniet ndërkombëtare, ka një proces më të gjatë ku marrim ndihmë edhe nga institucione apo specialistë të tjerë. Kemi një komision të brendshëm të de klasifikimit dhe procesi është kolegjial.
Për Martin Camajn po përmbyllim një proces të nisur prej kohësh. Nuk dua të nxjerr konkluzione, por ne kemi nxjerrë se dosja për të nuk është një bashkëpunimi, por është një dosje e profilit të tij dhe ka dokumente të sajuara nga Sigurimi i Shtetit për ta kërcënuar atë me jetë, ose ka letra vetë të falsifikuara nga vetë sigurimi për Martin Camajn.
Një ndër dokumentet më pikante ishte fati tragjik i Barbara Orgockas, një grua polake që martohet me një shqiptar. Fati i saj dihet, ajo u akuzua për spiunazh dhe përfundoi keq. Ne gjetëm letrën në dosjen e saj që mamaja i shkruan diktatorit të asaj kohe ku i lutet për fëmijët dhe fatin e saj.
Ne po bëhemi gati për klubin e librit dhe kemi librin e Drita Çomos, fati i saj dhe familjes ishte tragjik. Fati e goditi me një sëmundje të pashërueshme dhe ajo tregon mungesën e kontaktit me familjen në mënyrën e saj rinore. Të bën përshtypje të thellë që dosja u hap për të në moshën 16-vjeçare. Ka një urrejtje të hapur që në fillim ndaj saj në dosje. Mënyra si e komentojnë tregojnë për një situatë jo njerëzore, si në spital edhe në shoqëri”, u shpreh ajo mes të tjerash.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co